Kishin përshtatur banesën si “call center” të padeklaruar, arrestohet një person

  • E.K /
  • 12 April 2023 - 10:01
Kishin përshtatur banesën si “call center” të padeklaruar, arrestohet një person

Një person është arrestuar dhe dy të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, pasi kishin përshtatur një banesë të marrë me qira në Kavajë, si call center, subjekt i cili ishte i palicencuar dhe me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente, përcjell “Kosova Sot Online”.

Policia ka njoftuar se gjatë kontrolleve në këtë banesë, u gjetë edhe një sasi lënde narkotike që u sekuestrua bashkë me 4 kompjutera që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.

Rasti lidhur me këtë ngajrje, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve është duke u hetuar.

Njoftimi:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Përshtatja”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Kavajë.

Kishin përshtatur një banesë të marrë me qira, si call center, vihet në pranga 1 shtetas, procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë.

Sekuestrohen 4 kompjutera që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, që u gjetën në ambientet e kësaj banese.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Përshtatja”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Rr., 38 vjeç, banues në Kavajë dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. H., 24 vjeç, dhe D. B., 28 vjeç, të dy banues në Kavajë.

Këta shtetas kishin përshtatur një banesë të marrë me qira në lagjen nr. 5, Kavajë, si call center, subjekt i cili ishte i palicencuar dhe me aktivitet të padeklaruar në organet kompetente. Gjatë kontrollit në ambientet e kësaj banese u gjetën të instaluar 4 kompjutera që përdoreshin për këtë veprimtari të paligjshme.

Gjithashtu, gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 kompjuterat.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

(Kosova Sot Online)