Qalaj: Ja pse u dëmtua rëndë imazhi i Policisë

  • A.P /
  • 12 April 2023 - 17:27
Qalaj: Ja pse u dëmtua rëndë imazhi i Policisë

Lëshimi i dy komunikatave të ndryshme e ka dëmtuar imazhin e Policisë, ka theksuar ish drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Qalaj shton se mosraportimi i rastit nga zyrtarët policorë dhe tentimi për ta fshehur atë e ka vënë në lajthitje edhe Drejtorinë e Përgjithshme të PK-së.

Ish drejtori i Policisë, tash deputet, vlerëson se sa i përket hapave të tjerë të ndërmarrë nga Policia janë në pajtim me ligjet në fuqi.

“Unë mendoj që raportimi apo lëshimi i komunikatës nga Policia e Kosovës, fillimisht se nuk ka pasur të shtëna respektivisht Policia e Kosovës nuk ka qenë e përfshirë në këtë incident, e pastaj doli ndryshe, mendoj që e ka dëmtuar rëndë Policinë e Kosovës, e ka dëmtuar rëndë edhe shtetin e Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare. Mendoj që është gabim i madh që fillimisht është lëshuar një komunikatë e tillë për shkak se policia së paku duhet t’i ketë të gjitha informatat dhe ka mundur që komunikata të jetë më e kujdesshme gjersa të arrihet sigurimi i fakteve në lidhje me rastin që ka ndodh. Unë kuptova që policët që janë suspenduar dhe arrestuar nuk e kanë treguar rastin, pra kanë tentuar ta fshehin dhe në një mënyrë e kanë çitë në lajthitje edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Si do që të jetë, kjo komunikatë e lëshuar nga Policia e dëmton rëndë imazhin e Kosovës. Të gjitha hapat që është duke i ndërmarrë Policia e Kosovës janë në rregull, por deklarata e parë është dashur të jetë më e matur. Nuk duhet që një institucion i sigurisë të lëshojë deklaratë e më pas ta demantojë vetën, ndërsa sa i përket hapave të tjerë mendoj janë në pajtim me ligjet në fuqi”, tha Qalaj.

(Kosova Sot Online)