Ndryshojnë çmimet e karburanteve

  • A.P /
  • 20 April 2023 - 17:26
Ndryshojnë çmimet e karburanteve

Bordi i Transparencës ka njoftuar ditën e sotme ndryshme të çmimeve të karburanteve, pas mbledhjes së fundit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Bëhet me dije se nafta dhe benzina do të tregtohen me të njëjtin çmim 181 lekë/litër.

Gazi do të shitet me 75 lekë/litër. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 20 Prill ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Vendim i Bordit të Transparencës- 20.04.2023

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 20 Prill 2023 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 19.04.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 839, -21 nga data 27.03.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 733, -4 nga data 27.03.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje në 103.19 (-3.25 nga data 27.03.2023).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë:

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 181 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 181 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 75 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 63 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 87 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 20 Prill ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.

(Kosova Sot Online)