Kurti: Lavdi komandantit Ilaz Kodra

  • A.P /
  • 30 April 2023 - 17:50
Kurti: Lavdi komandantit Ilaz Kodra

Në 24 vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, kryeministri, Albin Kurti, bëri homazhe dhe vendosi kurora me lule tek Kompleksi Memorial i dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.

Duke kujtuar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, Kurti tha se komandanti Ilaz Kodra ra në betejë të ashpër me forcat serbe.

“Sot kujtojmë 24-vjetorin e rënies heroike të komandantit Ilaz Kodra, i cili ra në betejë të ashpër e të drejtpërdrejtë me forcat serbe, tri ditë pa i mbushur 33 vjet. Lavdi komandantit Ilaz Kodra, lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar”, u shpreh kryeministri, sipas komunikatës zyrtare.

Gjatë ditës së sotme kryeministri Kurti mori pjesë edhe në zbulimin e pllakës përkujtimore në fshatin Shtuticë të Komunës së Drenasit si dhe homazhe te varrezat e dëshmorëve në Verbovc të Komunës së Drenasit.

(Kosova Sot Online)