Osmani: Sot është një përkujtim i madh për të gjithë ne

  • A.P /
  • 02 May 2023 - 16:20
Osmani: Sot është një përkujtim i madh për të gjithë ne

Në ceremoninë përkujtimore të masakrës në Studime të Vushtrrisë, ku më 2 maj 1999, forcat serbe i kishin pushkatuar 116 civilë shqiptarë, presidentja Vjosa Osmani mori pjesë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani tha se kjo është “në prej masakrave më të tmerrshme”, dhe shprehu njëfarë indinjate me partnerët ndërkombëtarë, për të cilat tha se ky rast duhet të shërbejë për të kuptuar se kush ka qenë agresori dhe kush viktima.

“Sot është një përkujtim i madh për të gjithë ne, por edhe për parnerët tanë ndërkombëtarë se kush vërtetë ka qenë agresori e kush ka qenë viktima, ndonëse historia nuk mund të rishkruhet”, tha ajo.

Osmani foli edhe për dialogun me Serbinë. Tha se ekipi menaxhues që e ka përgatitur draftin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili do të prezantohet sot në Bruksel, nuk përfaqëson interesat e Kosovës.

Prandaj, Osmani tha se Kosova “duhet ta ketë draftin e saj”. Derisa kryeministri Albin Kurti pas pak pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel, presidentja e Kosovës tregoi edhe njëherë “pikat që assesi nuk duhet të tejkalohen”.

“I ashtuquajturi ekip menaxhues do ta prezantojë një draft. Pritjet e mia si presidente e Republikës janë që Republika e Kosovës ta ketë draftin e saj sepse ne nuk guxojmë të lejojmë që drafti i një të ashtuquajturi ekip menaxhues, që në realitet është draft i Vuçiqit, të bëhet bazë e negociatave”, tha Osmani.

“Pra, ta kemi draftin tonë i cili në një, është në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, nën dy, është përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, është po ashtu në përputhje me qendrimin e SHBA-së dhe siguron qe nuk preket as sovraniteti, as integriteti territorial e as parimi i unitaritetit të shtetit qe nënkupton një shtet komplet funksional”, shtoi presidentja.

Ajo tha se duhet “patjetër” që të përfillet “garanca që çdo draft të shkojë në Gjykatën Kushtetutese”.

(Kosova Sot Online)