Zeneli: Rama dhe kandidatët e tij po shkelin normat etike e po bullizojnë kundërkandidatët

  • E.K /
  • 10 May 2023 - 09:13
Zeneli: Rama dhe kandidatët e tij po shkelin normat etike e po bullizojnë kundërkandidatët

Analisti nga Shqipëria, Alfons Zeneli vlerëson se ka mundësi jashtëzakonisht të mëdha që të mos ketë zgjedhje të lira në Shqipëri më 14 maj.

Sipas tij Edi Rama dhe kandidatët e tij nëpër bashki po ndjekin një fushatë të përqeshjes e bullizimit të kandidatëve tjerë.

“Zoti Rama bashkë me kandidatët janë të programuar dhe janë të lidhur zinxhir, përsërisin në mënyrë identike, përfshirë këtu edhe gjestikulacionin e kryetarit. Po përqeshin, bullizojnë, ofendojnë të gjithë kandidatët e opozitës qoftë Alibeajt qoftë Berishës, duke iu referuar pamjes fizike, moshës, gjinisë dhe të dhënave tjera të cilat nuk bëjnë pjesë në atë që është e rëndësishme për një politikan”, ka deklaruar Zeneli.

Sipas tij kandidatët e Partisë Socialiste, po përsërisin fjalë për fjalë liderin e tyre.

“Kemi të bëjmë me kandidatë ushtarë, kandidatë të programuar, robotë të cilët përsërisin fjalë për fjalë të gjithë atë bagazhin metaforik të kryetarit të tyre, nëpër mitingje politike. Kjo sa i përket segmentit psikologjik”, ka thënë Zeneli në Tëvë 1.

Madje për Zenelin vet sllogani i PS-së në këto zgjedhje është shkelje e normave etike.

“Po të shohësh vet slloganin e tyre kryesor të shoqëruar me foto, vetëm përpara dhe jo prapa, kanë vënë një foto normale të kryetarit të tyre Rama dhe poshtë, bardhezi dy foto të shpërfytyruara të Berishës dhe Ilir Metës. Këtu ka një normë etike që nuk mund të shkelet nga një njeri normal, nëse do të ishte kryeministri sepse Berisha çfarëdolloj moshe të ketë, ka një popullaritet jashtëzakonisht të madh në Shqipëri dhe bullizimi, përqeshja duke iu referuar relievit antropologjik, gjatësisë, peshës trupore, është patjetër një shkelje e rëndë e etikës dhe një fyerje publike e të gjithë pjesës së madhe të njerëzve që ai përfaqëson”, ka deklaruar analisti në një videolidhje.

Sipas Zenelit, këto zgjedhje po mbahen në një situatë anormale pasi kemi të bëjmë me një Qeveri në kulmin e agresionit të vet dhe një opozitë të përçarë.

“Kjo është e komplikuar dhe një situatë anormale në krahasim me zgjedhjet që janë mbajtur të kaluarën në Shqipëri. Kjo për arsye të dy faktorëve, siç është përçarja e opozitës si dhe ardhja tek një parti socialiste, tek një rilindje, tek një qeverisje. Kjo shënon një anomali të jashtëzakonshme, e që në Shqipëri nuk është parë ndonjëherë. Kjo do të jetë një ngjarje e paprecedentë. Kemi një Qeveri në kulmin e agresionit të vet dhe një opozitë të përçarë”, ka deklaruar Zeneli.

Në Shqipëri më 14 maj do të mbahen zgjedhjet lokale.

(Kosova Sot Online)