Në këtë shkollë disa prindër po i shqetëson një problem

  • A.P /
  • 11 May 2023 - 17:18
Në këtë shkollë disa prindër po i shqetëson një problem

Prindërit e disa nxënësve të shkollës fillore “Gjergj Fishta” në Prishtinë, në kushte anonimiteti kanë shprehur shqetësimin se një person, mbi të tridhjetat, kohë pas kohe hynë në oborrin e shkollës dhe “luan” me nxënësit.

Sipas tyre, personi në fjalë, ka probleme, dhe prindërit shqetësohen se ai mund të krijojë situata të pakëndshme me fëmijët.

 

Për këtë çështje ka folur drejtoresha e shkollës “Gjergj Fishta”, Supije Zhitija.

Ajo ka deklaruar se rasti është lajmëruar në polici dhe në Komunën e Prishtinës. Megjithatë, vijon të përsëritet.

Drejtoresha Zhitija tha se personi me inicialet L.A., nuk është armiqësor por nuk përjashtohet mundësia qe mund të jetë i “paparashikueshëm”.

” Kjo qëndron, por qëndron që L.A., është banor i lagjes, motra e tij ka qenë nxënese e jona. Me marrjen e detyrës sime në vitin (2018), nuk kam të dhëna që edhe ai ka qenë pjesë e shkollës. Gjatë këtij intervali kohor kemi folë me familjen e tij, ai i ka mbi 30 vjet. Por nuk është kaq armiqësor, është me nevoja te veçanta. Nuk është aq i dhunshëm, por mund të jetë i paparashikueshëm. Shkolla i ka përdorë të gjithë mekanizmat, kemi bisedu me familjen, policinë, komunën i kemi edhe imellat. Sa herë e kemi thirrë policinë janë përgjigjë, e kanë marrë në mbajtje dhe e lirojnë”, tha drejtoresha Zhitija të enjten për Gazetën Express.

Drejtoresha pohoi se ky i rritur qëndron edhe në dy shkolla të tjera fillore.

“Ai rrin edhe në hapësirat e shkollës “Elena Gjika”, “Pjetër Bogdani” dhe “Gjergj Fishta”.

Zhitija theksoi se shkolla i ka përdorë të gjithë mekanizmat e saj për trajtimin e këtij rasti, por thekson se në shkollë nuk ka sigurim që kujdeset për sigurinë brenda dhe jashtë saj.

“S’kemi kujdestari te hyrja e derës së oborrit. Të gjithë mobilizohemi, asnjëherë s’ka bë gjë, ka hyrë dhe ka dalë te hyrja tjetër. Ai nuk është armiqësor, nuk shpreh agresivitet.

Kaq sa kemi kapacitet i kemi përdorë të gjithë mekanizmat dhe kapacitetet tona”, shpjegoi drejtoresha.

Ajo u shpreh e gatshme për gjetjen e një zgjidhjeje por duke e pasur në konsideratë dhe mirëkuptim edhe familjen e të rriturit.

Për këtë person ajo tha se njëherë e ka dëmtuar një veturë, jashtë hapësirës së shkollës.

“Ka qenë i denoncuar edhe për dëmtimin e një veture, kur e kemi ngritë si bisedë me policët”, (është i njoftuar për këtë rast).

(Kosova Sot Online)