Zgjedhjet e reja, të tretat me radhë brenda 16 muajve po u imponohen përdhunshëm qytetarëve nga partitë

Zgjedhjet e reja, të tretat me radhë brenda 16 muajve po u imponohen përdhunshëm qytetarëve nga partitë
Zgjedhjet e reja, të tretat me radhë brenda 16 muajve po u imponohen përdhunshëm qytetarëve nga partitë

Gani Qarri

  • 08 May 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Në fakt, para 27 vitesh, Kosova u çlirua nga okupatori serb, por tash e 27 vite nuk po arrin assesi të çlirohet edhe nga vetvetja, derisa mizëria politike, me ngërçe e bllokada institucionale, është thelluar sidomos në dy vitet e fundit dhe, për inate politike e ego individuale, stagnohet çdo gjë me insinuata dhe inskenime antishtetërore, aq sa vendi, vetëm brenda 16 muajve, detyrohet, pa dëshirën e sovranit, të shkojë për herë të tretë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

 

-Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ku janë mbajtur disa procese votimi në nivel komunal dhe nacional, brenda një periudhe të shkurtër dhe vetëm gjatë viteve 2025–2026, po mbahen mëse 5 palë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe lokale, ekziston rreziku real që as këto zgjedhje të mos sjellin zgjidhje dhe kjo dinamikë e shpeshtë zgjedhjesh sërish të përsëritet dhe të çojë në rënie edhe më të madhe të imazhit të Republikës së Kosovës në botë, si dhe në uljen drastike të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, përfshirë edhe zgjedhjet tanimë të shpallura parlamentare të 7 qershorit.

Zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare, të tretat me radhë brenda 16 muajve, të cilat, përveçse nuk ishin të nevojshme dhe as të dëshiruara nga qytetarët, fatkeqësisht po u imponohen përdhunshëm qytetarëve nga partitë politike aktuale, ani pse as që dihet nëse do të sjellin zgjidhje dhe nëse vërtet do të jenë të fundit për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar, apo vetëm pas disa muajsh vendi do të detyrohet të shkojë sërish në zgjedhje të imponuara të parakohshme parlamentare për shkak të pamundësisë së zgjedhjes së presidentit, derisa vetëm mbajtja e zgjedhjeve të 7 qershorit 2026, buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë hiç më pak se 10.8 milionë euro, që është edhe një ngarkesë më tepër për popullin e frustruar dhe shtetin e brishtë të Kosovës.

Kjo është mënyra më perfide që armiqtë tanë kanë arritur ta involvojnë në politikën vendore, nga e cila shteti i Kosovës nuk po gjen qetësi dhe as arrin ta marrë veten, ndaj edhe pasojat e mundshme të pjesëmarrjes së ulët në legjitimitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe në përfaqësimin real të vullnetit qytetar në vendin tonë, na bëjnë me dije jo vetëm seriozitetin e gjendjes politike, por edhe faktin se mbiemri i kundërshtarëve të shtetit të Kosovës nuk u dashka gjithmonë të jetë vetëm me prapashtesa sllave, për ta rrezikuar seriozisht qëndrueshmërinë e pavarësisë së vendit dhe dëmtuar sa më rëndë shtetin e Kosovës.

Kaosi aktual politik, i cili ka hyrë në vitin e dytë, me pretendencë reale që të vazhdojë edhe më tutje, ka bërë që ta shprehin publikisht brengosjen e tyre edhe vetë SHBA-të!

Ndaj, në gjendjen në të cilën kemi arritur, për t’i dhënë fund kaosit maratonik që ka bllokuar qëndrueshmërinë institucionale dhe ecurinë normale politike të shtetit të Kosovës, me t’u konstituuar Kuvendi, duhet urgjentisht që, si akt të parë, ta votojë amendamentin i cili mundëson zgjedhjen e presidentit nga vota e popullit. Në të kundërtën, me parti dhe politikbërës kaq axhami, që për fat të keq aktualisht i ka ky vend, Kosova as nuk do të arrijë për kohë të shkurtër ta zgjedhë presidentin dhe as të gjejë kurrë qetësi institucionale. Përndryshe, nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani që edhe vetë SHBA-të të shprehin publikisht brengosje lidhur me gjendjen e krijuar nga politikanët sharlatanë e tërësisht të papërgjegjshëm, tash e 27 vite të jetës në liri të Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".