Zgjedhjet në Shqipëri: Deri tani pjesëmarrje e ulët në votime

  • A.P /
  • 14 May 2023 - 16:00
Zgjedhjet në Shqipëri: Deri tani pjesëmarrje e ulët në votime

Shqipëria zgjedh sot kryebashkiakët për 61 bashki të vendit me në garë 144 kandidatë. 5213 qendra votimi janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Gjatë paradites është vënë re një pjesëmarrje e ulët në votime, ndërsa janë shfaqur gjithashtu probleme teknike në disa qendra votimi, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ka pasur vonesa në nisjen e procesit të votimit në disa qendra për shkak të mosfunksionimit të pajisjeve të identifikimit elektronik, ndërkohë në disa të tjera ka probleme me paraqitjen e komisionerëve, kryesisht të Partisë Demokratike.

 

Në 3 bashki të rëndësishme si Elbasani e Kamza dhe Vora , jo vetëm identifikimi, por edhe votimi dhe numërimi i votave, ishte planifikuar të jetë elektronik. Por nuk ka shkuar si duhet. Identifikimi elektronik ka pasur probleme në rreth 500 qendra votimi.

Në disa qendra votimi ka pasur edhe incidente. Një përplasje ndodhi mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste në qendrën e votimit në Spitallë, atje ku dhe procesi i  votimit u ndërpre për 30 minuta. Një tjetër incident është shënuar dhe në Fushë-Krujë. Një votues është përplasur fizikisht me një nga anëtarët e komisionit brenda qendrës së votimit.

15:24 Në rolin e vëzhgueses së zgjedhjeve, Yuri Kim mesazh nga Vlora: Askush s’duhet të shesë dhe të blejë votën

Ambasadorja amerikane Yuri Kim nga Vlora tha se askush nuk duhet të blejë apo të shesë votën dhe se është përgjegjësi e autoriteteve që të zbatojnë ligjet.

15:04 Emigrantët vijnë në Shqipëri për zgjedhje, 4452 hyrje në Kakavijë

Vetëm në pikën  kufitare të Kakavijës ka pasur 4452 hyrje nga jashtë dhe 1400 dalje nga Shqipëria.

14:52 Berisha: Vota e qytetarëve ka mbrojtjen absolute të opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin e të votojnë. 

14:33 Përplasje fizike në qendrën e votimit në Roskovec, grushte mes kandidatit të “Bashkë Fitojmë” dhe dy qytetarëve

Një përplasje është raportuar në Roskovec, ku kandidati i “Bashkë Fitojmë”, Erdit Hazizaj është përfshirë në një konflikt fizik me dy qytetarë në Qendrën e Votimit 3061.

14:18 Përplasjet në Durrës, OSBE/ODIHR zbarkon në qendrën e votimit

Pas përplasjeve mes mbështetësve të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe të atyre të Partisë Socialiste në shkollën “Neim Babameto” në Durrës, kanë mbërritur vëzhgues të OSBE/ ODIHR.

14:40 “Kërkoni ndjesë”, problemet me identifikimin biometrik ‘përplasin’ PS-në me KQZ-në

Që në nisje të votimeve në orët e para të mëngjesit në shumë qendra votimi nuk ka punuar sistemi duke bërë që KQZ të marrë vendim për vijimin e procesit me fleta të printuara.

14:09 “Intimidim ndaj votuesve”, Celibashi apel policisë: Largoni personat e paautorizuar në QV

Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi ka theksuar shqetësimin e personave të paautorizuar brenda disa qendrave të votimit në rang vendi. Ai është shprehur për mediat se prezenca e këtyre personave konsiderohet nga KQZ si intimidim ndaj votuesve dhe i ka kërkuar policisë që të marrë masa. Kushdo që nuk largohet, theksoi Celibashi, do të mbajë përgjegjësi ligjore.

13:53 KQZ nxjerr shifrat, sa është përqindja e votuesve deri në orën 13:00

23.20% është pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet lokale të kësaj të diele deri në orën 13:00, shifër kjo në rang vendi.

13:33 Kreu i PD-së në Durrës godet me grushta këshilltarin bashkiak të PS

Në një qendër votimin në Spitallë të Durrësit, kreu i Partisë Demokratike Durrës, Dritan Burgija, shtetasit Pjetër Pjetri dhe Ndec Pjetri, kanë goditur me grushte shtetasin Hekuran Markola, pjesë e këshillit bashkiak të Partisë Socialist.

13:28 Votimi në burgun e Drenovës, arrestohet gardiani, tentoi të fuste një kariktatore pistolete në qeli

Një punonjës i policisë në burgun e Drenovës është kapur me një karikator pistolete duke e futur në ambientet e burgut.

13:28 “Persona me xhupa e kapuçë”, denoncon PD: Drejtorët e bashkive të Ramës, presion votuesve

Dy përfaqësuesit ligjorë të PD- të drejtuar nga Sali Berisha, Ivi Kaso dhe Altin Kazizaj kanë denoncuar sipas tyre praninë e administratës nëpër qendrat e votimit.

13:20 Voton Bardh Spahia, flet për arrestimin e zyrtarëve: Inskenim politik

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë Shkodër, Bardh Spahia ka votuar në një prej qendrave të votimit.

13:15 Kandidati në burg, Greqia “me sytë” nga Himara, emigrantët kthehen për të votuar

Procesi i votimit në Himarë për zgjedhjet vendore në Shqipëri po ndiqet me vëmendje nga Greqia pas arrestimit të kandidatit të “Bashkë Fitojmë” Fredi Beleri, njëkohësisht anëtar i komunitetit grek.

13:13 Përplasja me Spahon, qytetari: Më tërhoqi zvarrë kur po prisja rradhën për të votuar

Qytetari deklaron se është tërhequr zvarrë nga deputeti Spaho i cili e kishte pyetur përse rrinte në rradhë.

12:47 Protestë në ditën e zgjedhjeve në Shqipëri, banorët e këtij fshati bojkotojnë votimet

Fshati Grabovë në bashkinë e Gramshit, kanë bojkotuar ditën e sotme votimet në shenjë proteste për mungesën e investimeve kryesisht në infrastrukturë.

12:45 84 të burgosur kanë votuar deri tani në Shqipëri

84 të burgosur kanë votuar deri tani në zgjedhjet vendore që po mbahen në Shqipëri.

12:36 Investimi miliona euro u quajt sukses në 2021-shin, sistemi ‘lë në baltë’ KQZ-në! Rrezik për manipulim të zgjedhjeve në Shqipëri?

Sistemi i identifikimit elektronik të zgjedhësve nuk ka fuksionuar si duhet në zgjedhjet vendore që po zhvillohen sot në Shqipëri ndonëse janë investuar 3.4 milionë dollarë për këto pajisje, të cilat në 531 qendra votimi sot janë jashtë funksionit, duke vonuar procesin dhe dekurajuar votuesit. Ky proces që u quajt i suksesshëm në zgjedhjet e 2021-shit sot ka kthyer pas qindra votues që prisnin për të shprehur vullnetin e tyre me votë.

12:18 KQZ: Pjesëmarrja në votime 13.59% deri në orën 11:00

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve 263 mijë (13.59%) qytetarë kanë votuar në të gjithë venShqipërinë deri në orën 11:00.

12:12 Përplasje fizike brenda qendrës së votimit në Zvezdë, i përfshirë deputeti i PD

Deputeti i Rithemelimit, Edmond Spaho është konfliktuar me një person brenda qendrës së votimit në Zvezde. Spaho ka tërhequr me forcë për krahu një prej personave që ndodhej brenda qendrës së votimit.

11:58 Voton Bejko: I vetmi demokrat i djathtë jam unë, të tjerët i përkasin së shkuarës

Kandidati i PD për Tiranën, Roland Bejko ka votuar. Menjëherë pas procesit, ai u ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë, duke e konsideruar ditën e sotme shumë të rëndësishme.

11:56 Veliaj pas votimit: Qytetarët që nuk votuan në mëngjes, të rikthehen edhe njëherë

Kandidati i PS për bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj i shoqëruar nga bashkëshortja ka votuar rreth orës 11:30 në qendrën e tij të votimit.

11:46 Zgjedhjet në Shqipëri, plas sherri në Fushë-Krujë dhe Durrës, ndërpritet votimi

Krahas problemeve teknike në disa qendra votimi në Shqipëri janë shënuar disa incidente. Përplasje ka pasur mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste në qendrën e votimit në Spitallë dhe në Fushë Krujë.

11:39Voton në Shkodër Luiz Ejlli: Po bëj detyrën time si qytetar

Fituesi i Big Brother Vip Albania, Luiz Ejlli, votoi në Shkodër.

11:30 Votimet, shefja e OSBE-ODIHR në Tiranë: Situata, e qetë! Raporti prezantohet të hënën

Shefja e misionit të vëzhgimit të OSBE, Andrey Glover në një deklaratë për mediat tha se do të shohin të gjithë procesin e zgjedhjeve, ndërsa theksoi se deri më tani ka qenë situatë e lehtë. Ajo shtoi se raporti i OSBE për zgjedhjet do të prezantohet të hënën.

11:19 Fushë Krujë/ Nxirret me dhunë nga qendra e votimit komisioneri i opozitës, Ilir Hyka

Një incident është regjistruar në Fushë-Krujë në qendrën e votimit 1302/1.

Persona ende të paidentifikuar janë futur në qendrën e votimit dhe kanë nxjerrë duke e dhunuar komisionerin e opozitës Ilir Hyka.

11:11 Voton Meta dhe Kryemadhi: Ditë e madhe për Shqipërinë, merr fund monizmi

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, hodhën sot votën në kutitë e votimit.

11:09 Voton Benet Beci: Sot është ditë e rëndësishme për Shkodrën

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci ka votuar ditën e sotme në qytetin e Shkodrës.

10:58 Voton Edi Rama, shoqërohet nga bashkëshortja

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka votuar në një prej qendrave të votimit në Surrel i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama.

10:53 Zgjedhjet në Shqipëri, sa është pjesëmarrja në votime deri në orën 10:00

Deri në orën 10:00 pjesëmarrja në zgjedhjet vendore në Shqipëri ka qenë 8.08% ose kanë votuar 158 mijë qytetarë. Shifrat i publikon Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

10:44 Yuri Kim drejtuar autoriteteve: Zbatoni ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim shpreson që të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike përmes votës.

Ambasadorja Kim iu ka bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë rregullat dhe ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

10:37 “Isha me një mikun tim aktor në makinë”, kryebashkiaku i Kolonjës tregon si u grushtua në mesnatë

Kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai e ka cilësuar si një ngjarje të turpshme që tregon sipas tij se sa e nervozuar dhe e dëshpëruar është pala kundërshtare politike. Në përgjigje të kundërshtarëve të cilët thonë se Isai po blinte vota, kryebashkiaku thotë se ishte duke pirë kafe me një mik.

10:34 Voton Jozefina Topalli bashkë me familjen: T’i themi “Stop” boshatisjes së vendit

Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka votuar në Shkodër së bashku me familjen e saj. Pas votimit, Topalli është shprehur se ka shumë arsye pse ajo voton sot, teksa ka theksuar 3, që sipas saj janë më të rëndësishmet për të sjellë ndryshime në vend.

10:30 Dhunimi i Erion Isait, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” : Ndërhyra vetëm për t’i ndarë

Kandidati i Koalicionit Berisha-Meta për Bashkinë e Kolonjës, Ethem Lumani ka reaguar pas dhunimit të kandidatit të PS-së, Erion Isai.

Ai thotë se ka ndërhyrë vetëm për të zbutur gjakrat dhe për t’i ndarë, por nuk ka ndërhyrë në sherr.

10:20 Voton Alibeaj: Sot është dita të ndahemi me të shkuarën

Pak minuta më parë kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj ka hedhur votën e tij. Ai tha se rezultati i PD do të jetë shumë pozitiv dhe u drejtua me një mesazh për të gjithë demokratë, shqiptarët e lirë dhe të ndershëm, të ushtrojnë të drejtën e votës në mënyrë të qetë dhe të matur për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën.

10:11 VIDEO- Nga Armina te mbesat, Sali Berisha voton bashkë me familjen

Ish kryeministri Sali Berisha ka votuar bashkë me familjen në qendrën e votimit në shkollën “Kosova”. Ai është paraqitur në qendrën e votimit i shoqëruar nga bashkëshortja, Liri Berisha, djali i tij Shkëlzen Berisha dhe nusja Armina Mevlani, së bashku me vajzën e tij dhe mbesat.

10:06 Sherr në lokal, procedohet penalisht kandidati i “Bashkë Fitojmë” Lefter Maliqi

Policia e Kuçovës ka proceduar penalisht shtetasin Lefter Maliqi kandidat për kryebashkiak nga Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, dhe Mikel Hoxha, të cilët akuzohet se kanë fyer dhe kërcënuar një person.

9:56 Zgjedhjet/ Problematika në Durrës, kandidati për Këshillin Bashkiak thyen ligjin

Në Durrës procesi zgjedhor po vijon me problematika. Përveç grumbullimeve jashtë Qendrave të Votimit dhe problemeve me pajisjet e identifikimit elektronik, është vënë re dhe prania e personave që nuk lejohen të qëndronin.

9:49 Ngërçi me votimin elektronik, KQZ merr vendimin: Vijoni procesin manualisht

Në qendrat e votimit ku nuk punon pajisja elektronike procesi do të kryhet manualisht.

9:43 Kërcënoi kryetarin e njësisë administrative Fratar, nën hetim 54-vjeçari

Një 54 vjeçar i cili dyshohet se ka kanosur me fjalë kryetarin e njësisë administrative Fratar është vënë nën hetim.

9:21 Zgjedhjet lokale, KQZ nxjerr shifrat: Sa është pjesëmarrja deri tani

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se deri më tani pjesëmarrja në këto zgjedhje është 1.29%.

9:04 Zgjedhjet në Shqipëri, Policia e Shtetit: Asnjë problem me qendrat e votimit

Asnjë problem nuk është konstatuar gjatë ruajtjes së objekteve dhe materialeve zgjedhore, si dhe gjatë procesit të dorëzimit të qendrave të votimit te komisionerët e QV-ve, mëngjesin e sotëm, thuhet në reagimin e policisë së shtetit. 

9:02 Zgjedhjet/ Voton presidenti Begaj: Këto votime janë të qytetarëve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka votuar në shkollën 9-vjeçare në shkollën 9-vjeçare “Kongresi i Lushnjes”.

9:00 Kukësi pa drita, probleme me pajisjen e identifikimit biometrik! Pjesëmarrja e ulët në votime

Në Qarkun Kukës situata paraqitet e qetë sa i takon procesit zgjedhor, përveç problemeve me pajisjen e identifikimit biometrik për shkak të ndërprerjeve të shkurtra të energjisë elektrike

8:39 Zgjedhjet/ Voton Belind Këlliçi: Sot vendoset fati i Tiranës

Kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për Bashkinë e Tiranës Belind Këlliçi ka votuar sot në Shkollën “Dora d’Istria”.

8:20 Zgjedhjet/ Fredi Beleri në burg, si paraqitet situata në Himarë

Arrestimi i kandidatit të ‘Bashkë Fitojmë’ në Himarë, Fredi Beleri, para zgjedhjeve solli reagime të ashpra mes Greqisë dhe Shqipërisë. Në orët e para të hapjes së votimit situata atje paraqitet e qetë dhe njerëzit kanë filluar të votojnë.

8:05 Vonesa dhe probleme me pajisjet e identifikimit, në këto qytete nuk ka nisur ende procesi i votimit

Pajisjet e identifikimit elektronik kanë shfaqur probleme në Lushnje dhe Kavajë ku ende nuk ka nisur procesi i votimit. Gjithashtu probleme ka edhe në disa zona të tjera.

7:56 Zgjedhjet/ Voton Balluku: Uroj një proces të qetë, siç e meriton Shqipëria

Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku është dhe një ndër të parat nga radhët e qeverisë që ka votuar për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri të Tiranës.

7:54 Në tre bashki sot aplikohet votimi elektronik, të dhëna reale mbi pjesëmarrjen e qytetarëve

Në tre bashki të vendit votimi për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore. do të kryehet në mënyre elektronike.

7:30 Shqipëria zgjedh sot 61 drejtuesit e rinj vendorë (Përballjet)

Nga ora 07:00 deri më 19:00, shqiptarët do i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashiakët e rinj.

Kandidati i PS-së Erion Isai për bashkinë e Kolonjës është dhunuar mesnatën e djeshme në fshatin Qinam nga një simpatizant i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ku prezent ka qenë edhe kandidati i kësaj force Ethem Lumani.

(Kosova Sot Online)