Zvicra me vendim për heqjen e vizave për kosovarët, "shtetasit kosovarë lejohen të punësohen vetëm me kusht që të kenë kualifikime të mira profesionale"
Këshilli Federal i Zvicrës ka bërë të ditur se sot kanë aprovuar ndryshimet e nevojshme në përputhje me vendimin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian për liberalizimin e vizave për kosovarët, përcjell “Kosova Sot Online”.
Nga 1 janari 2024, kosovarët s’do të jenë të detyruar të pajisen me vizë nëse dëshirojnë të vizitojnë Zvicrën për një qëndrim deri në 90 ditë maksimumi.
“Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për viza që ndërlidhen me sigurinë, kontrollet kufitare dhe migrimin. Për këtë arsye Parlamenti Evropian dhe Këshilli I Be-së kanë aprovuar rregulloren më 19 prill 2023 që përjashton kosovarët nga kërkesa për t’u pajisur me vizë për qëndrim të shkurtër maksimumi 90 ditë. Kërkohet pajisja me pasaportë biometrike. Si një vend i zonës Schengen, Zvicra është e përkushtuar për të miratuar zhvillimet e më tejshme në kuadër të “Schengen Acquis””, thuhet në komunikatë.
“Shtetasit kosovarë lejohen të punësohen vetëm me kusht që të kenë kualifikime të mira profesionale dhe të mos gjenden punëtorë ekuivalent në tregun zviceran të punës apo në vendet e BE/EFTA. Gjithashtu duhet respektuar paga dhe kushtet e zakonshme të punës”, sqaron shteti zviceran.
(Kosova Sot Online)
