Osmani: Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb

  • E.K /
  • 22 May 2023 - 10:15
 Osmani: Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 24-vjetorin e Masakrës së Dubravës, përcjell “Kosova Sot Online”.

Osmani ka thënë se Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999.

“Afër një muaj përpara se Kosova të bëhej e lirë, makineria e pushtetit gjenocidal të Serbisë, manifestoi egërsinë ndaj të burgosurve shqiptarë në Burgun e Dubravës, me ç`rast në periudhën 19-24 maj 1999, vrau brenda burgut 160 të burgosur shqiptarë dhe plagosi 300 të tjerë”, tha Osmani përmes një postimi në “Facebook”.

“Masakra e Dubravës është një nga krimet me të tmerrshme të regjimit kriminal serb gjatë vitit 1999, prandaj drejtësia për të gjitha viktimat dhe të mbijetuarit do të jetë triumf i së vërtetës”, tha ajo.

“Kujtim dhe nderim i përhershëm për ta, sikurse edhe angazhim i pareshtur për ndëshkimin e këtij krimi duke sjellë autorët para drejtësisë”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)