Çfarë do të ndodhë me 30 eurot që Visa Metric ua mori aplikantëve?

  • A.P /
  • 22 May 2023 - 16:26
Çfarë do të ndodhë me 30 eurot që Visa Metric ua mori aplikantëve?

Padi Kolektive në emër të interesit publik që qytetarët t’iu kthehen paratë, ka ushtruar avokati Flamur Abdullahu, i cili inicioi në Gjykatën Komerciale rastin e operatorit ekonomik VisaMetric L.L.C, që shërbimi postar në vlerë prej 30 eurosh të mos jetë obligativ dhe i njëjti vendim ka filluar të zbatohet, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përfaqësuesi ligjor i VisaMetric, Fisnik Salihu, ka deklaruar se pas vendimit të Gjykatës, ky operator ekonomik është i obliguar që vetëm çështjen e pagesës së postës ta ketë opsionale, pra të paguash për postë për pranimin e pasaportës ose ta tërheqësh vetë në zyrën e VisaMetric.

Prandaj, është shprehur se ky vendim “nuk ka të bëjë me kompensim”.

Por për çështjen e kompensimit, avokati Flamur Abdullahu tha se nuk ka ende ndonjë njoftim nga Gjykata.

“Hala nuk kam njoftim prej gjykatës”, tha avokati Flamur Abdullahu të hënën.

Ditë më parë ai i tha që pret nga Gjykata Komerciale që ta ftojnë në seancë për padinë që ka bërë ndaj VisaMetric, për kthimin e parave.

“Për këtë qëllim kam bë padi kolektive në emër të interesit publik, e tash e pres gjykatën mem ftu në seancë për padi kolektive, unë kam kërku me mu kthy mua paratë edhe gjithë të tjerëve kujna ia kanë marrë këtë pagesën kundër ligjit. Tash varet nga gjykata se sa shpejtë punon gjykata”, tha Abdullahu për Gazetën Express.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata Komerciale nuk i ka kthyer përgjigje të hënën.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar se pasi kanë pranuar kallëzim penal ndaj VisaMetric, menjëherë janë marrë veprime sipas dispozitave ligjore në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

“Lidhur me këtë çështje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar kallëzim penal. Prokurori i Shtetit menjëherë ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve sipas dispozitave ligjore të KPPRK-së, dhe atë në drejtim të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për zhvillimet e radhës lidhur me këtë rast do të njoftoheni në kohë”, thuhej në përgjigjen e prokurorisë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka pranuar qindra ankesa nga qyetetarët dhe ka konfirmuar se kur ankesat janë të bazuara adresohen tek operatori dhe i njëjti urdhërohet të rimbursojë qytetarët për “pagesa të paarsyshme”, po ashtu MINT ka pohuar se VisaMetric është duke i rimbursuar qytetarët. Por, mbrojtja e VisaMetric Fisnik Salihu tha se vendimi i gjykatës nuk ka të bëjë me kompensim.

(Kosova Sot Online)