Agjançiq: Uji i Ibrit ka hyrë në shtëpitë tona, nuk ka pyetur se kush është serb e kush është shqiptar

  • A.P /
  • 22 May 2023 - 19:45
Agjançiq: Uji i Ibrit ka hyrë në shtëpitë tona, nuk ka pyetur se kush është serb e kush është shqiptar

Katarina Agjançiq, ish-punonjëse e Administratës Tatimore të Kosovës, e cila ka pranuar pozitën e nënkryetares së Mitrovicës së Veriut i përshkruan si “normale” marrëdhëniet e saj me partinë kryesore të serbëve – Lista Serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Vendimin për të dalë kundër mosgatishmërisë së tyre për t’i dhënë fund bojkotimit të institucioneve të Kosovës tash e gjashtë muaj, Agjançiq thotë se e ka marrë për faktin se nuk ka mundur të qëndrojë duarkryq kundrejt pasojave që ka shkaktuar mosfunksionimi i institucioneve në katër komunat në veri të Kosovës.

"Në janar jemi përballur me përmbytje. Uji i Ibrit ka hyrë në të gjitha shtëpitë tona, nuk ka pyetur se kush është serb, kush është shqiptar e kush është boshnjak. Në atë fatkeqësi, që ka qenë shumë e vështirë ato ditë, të gjithë kanë ditur të flasin serbisht, shqip dhe turqisht, dhe fqinjët kanë vrapuar për të ndihmuar njëri-tjetrin. Aty kemi parë që nuk mund të jetojmë pa njëri-tjetrin. Aty kemi parë se nuk organizohemi dot pa institucione.

Por, sfidë ka qenë kthimi në jetën normale, rregullimi i dëmeve, kujt t’i drejtoheshim… A ka faj populli që dikush e ka braktisur pushtetin? Kemi pyetur ku është komisioni, të vijë t’i vlerësojë dëmet. Na kanë thënë se nuk ka komision që nga koha e dorëheqjeve. Ku janë inspektorët komunalë? Nuk ka. E çfarë ka? Ka kryetar kuvendi, delegatë. Çfarë bëjnë ata? Marrin vendime. Kush i zbaton? Askush", ka theksuar ajo.

(Kosova Sot Online)