Varhelyi: Në aspektin e luftimit të korrupsionit nga Kosova nevojitet një vullnet i fortë

  • A.P /
  • 25 May 2023 - 16:22
Varhelyi: Në aspektin e luftimit të korrupsionit nga Kosova nevojitet një vullnet i fortë

Zyrtari i Lartë i BE-së, komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi ka thënë se sa i përket luftës kundër korrupsionit duhet një vullnet i fortë për të adresuar rastet e nivelit të lartë të korrupsionit dhe nxjerrja e vendimeve të duhura nga gjykatat për të bërë edhe konfiskime, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Varhelyi ka thënë se Brukseli pret që politikat për të cilat është zotuar Qeveria Kurti edhe të zbatohet.

“Në aspektin e luftimit të korrupsionit nevojitet një vullnet i fortë për të adresuar rastet e nivelit të korrupsionit të lartë dhe duhet të nxirren disa vendime të duhura nga gjykatat edhe për të bërë konfiskime. Natyrisht që të kemi angazhimin e sundimit të ligjit. Kemi zotimin e Qeverisë, presim që politikat e dizajnuara të bëhen në zbatim. Kosova është në fazë të hershme, por ka ndërmarrë edhe disa operacione të suksesshme”, ka thënë Varhelyi.

Se Kosova gjendet në një fazë të hershme të luftimit të krimet të organizuar dhe korrupsionit e kishte konstatuar edhe Raporti për Vendin i publikuar në tetor të vitit 2022. Aty thuhej se sa i përket kësaj fushe është arritur “një lloj progresi”.

Përveç kësaj, vlerësohej se sistemi gjyqësor ishte treguar i ngadalshëm dhe joefikas. Derisa i ishte tërhequr vërejtja Qeverisë për të implementuar në tërësi vendimin e Komisionit të Venecias për draft-propozimet për reformën në drejtësi.

(Kosova Sot Online)