Scholz dhe Macron kërkojnë nga Kosova dhe Serbia zgjedhje të reja në Veri

  • A.P /
  • 01 June 2023 - 20:00
Scholz dhe Macron kërkojnë nga Kosova dhe Serbia zgjedhje të reja në Veri

Gjermania dhe Franca u kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë të mbajnë zgjedhje të reja në komunat në veri të Kosovës, ka deklaruar presidenti i Francës, Emmanuel Macron, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Franca dhe Gjermania u kërkuan udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë të organizojnë zgjedhje të reja në rajonet e prekura nga trazirat sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha Macron, i cili shtoi se u kërkua që të qartësohen edhe rregullat për zgedhje.

Osmani e konfirmoi se Macron dhe Scholz e bënë këtë kërkësë gjatë takimit të tyre në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Moldavi, dhe shtoi se u tha atyre që “ne jemi të gatshëm ta shqyrtojmë këtë, në bazë të ligjit të Kosovës për zgjedhjet lokale”.

“Rreth 20 për qind në listat e votuesve mund të nënshkruajnë një peticion dhe përmes tij mund të iniciojnë procesin e zgjedhjeve të reja. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim ligjin”, tha Osmani.

Ndërkohë, Macron gjithashtu tha se gjatë javëve të ardhshme do të ketë “vendim të qartë” për situatën në veri të Kosovës dhe se për këtë gjë u pajtuan gjatë takimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, dhe liderët lokalë – presidenten Osmanin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas këtyre takimeve, Scholz tha se diskutimet me liderët lokalë ishin “serioze dhe intensive”.

Osmani dhe Vuçiqi kanë zhvilluar takime të ndara me udhëheqësit evropianë, në margjinat e samitit të Komunitetit Politik Evropian në kryeqytetin moldav, Kishinau.

Situata në veri të Kosovës u tensionua qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe të hyjnë në zyrat komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.


(Kosova Sot Online)