
Kurti tregon tri kategoritë e protestuesve serbë para deputetëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është duke raportuar në Kuvend për ngjarjet dhe zhvillimet në veri të vendit, përcjell “Kosova Sot Online”.
Ai tha se protestat atje nuk po vijnë nga vullneti i popullit serb, por nga Beogradi zyrtar.
Kurti shtoi se shumë qytetarë serbë për shkak të presionit e kërcënimit nga Beogradi zyrtar janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulme të grupe të tilla kriminale.
“Nuk mund t’i mbyll sytë kur grupe kriminale të llojit fashist paramilitar kërcënojnë rendin kushtetues e ligjor të Republikës. Ne jemi të vetëdijshëm që jo të gjithë janë pjesë e grupeve të tilla, por fatkeqësisht shumë qytetarë serbë për shkak të presionit e kërcënimit nga Beogradi zyrtar janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulme të grupe të tilla kriminale. Dhe aty janë tri kategori: e para – kriminelët e mbrojtjes civile – këta janë pjesa ekstremiste, shoviniste, nacionaliste që e admiron Millosheviqin e Putinin dhe merr pjesë në protesta të dhunshme. E dyta: Nga administrata publike, që po nuk dolën në protesta humbin pagën se vendin e punës nuk e di a e kanë.E treta: Janë kompanitë e Radojiçiqave dhe Veselenoviqave që iu japin pushim punëtorëve me kusht që të shkojnë në protestë të dhunshme. Ua kushtëzojnë vendin e punës me protestë të dhunshme dhe kur shkojnë në protestë të dhunshme ia shkruajnë ditë pushimi”.
(Kosova Sot Online)