Qarri: Kur një njeri si Abdixhiku katapultohet në krye të LDK-së pa qenë as anëtar mund të konsiderohet edhe si pengmarrje

Qarri: Kur një njeri si Abdixhiku katapultohet në krye të LDK-së pa qenë as anëtar mund të konsiderohet edhe si pengmarrje
Qarri: Kur një njeri si Abdixhiku katapultohet në krye të LDK-së pa qenë as anëtar mund të konsiderohet edhe si pengmarrje

Gani Qarri

  • 07 February 2026 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Gani Qarri

Vetë fakti se gati gjysma e delegatëve në Kuvendin e LDK-së votuan kundër Lumir Abdixhikut, flet qartë se qëndrimi i tij i mëtejmë si kryetar është një qëndrim i “përdhunshëm” në krye të Partisë së dr. Ibrahim Rugovës, akt që dëshmon se dashamirët e njëmendtë të LDK-së janë lodhur me politikën e dështuar të Lumir Abdixhikut & Co., i cili e ka lëshuar LDK-në nga partia më e madhe shtetformuese dhe institucionale e Kosovës, në njërën nga partitë më të vogla dhe të parafundit opozitare në vend.

 

-Kur një njeri si Abdixhiku katapultohet pa asnjë meritë në krye të partisë, pa qenë kurrë as anëtar i thjeshtë i saj, kjo mund të konsiderohet edhe si pengmarrje e atij subjekti politik, me qëllim për ta shkatërruar nga brenda dhe jashtë partinë më të madhe shtetformuese dhe institucionale të Kosovës. Ndaj, Abdixhiku nuk është hedhur kot në konfrontim të hapur me të gjitha partitë, jo vetëm me partinë fituese të zgjedhjeve, por ai personalisht ka kundërshtuar në vazhdimësi bashkëpunimin edhe me partitë opozitare, duke e sjellë LDK-në në këtë gjendje për keqardhje. Këtë mund ta bëjë vetëm dikush i katapultuar nga jashtë, që nuk është rritur me idealet dhe peripecitë e partisë, nuk e ka hallin e saj dhe mendon vetëm për ndërtimin e karrierës personale në kurriz të LDK-së.

Andaj, pa asnjë mëdyshje, zhvillimet në Kuvend na bëjnë të gjithëve të kuptojmë se sa dëshirë të madhe kishin aktivistët e njëmendtë dhe dashamirët e sinqertë të kësaj partie për shpëtimin e LDK-së, çlirimin e saj nga pengmarrja dhe rikthimin në rrugën e dr. Rugovës. Për këtë arsye ata votuan kundër Abdixhikut, për rikthjellje dhe rikthimin e namit të dikurshëm të kësaj partie, e cila nën udhëheqjen e dr. Ibrahim Rugovës shkroi histori dhe mbante primatin e shtetkrijimit të Kosovës.

Shto gjithë kësaj rezultatin e dyshimtë të votëbesimit, para dhe gjatë mbajtjes së Kuvendit, ani pse në formë më të kamufluar, ku mund të jenë bërë dallavere të njëjta apo edhe më të mëdha se në votimet parlamentare, ku diferenca ndërmjet mbështetësve dhe kundërshtarëve të Lumir Abdixhikut, çuditërisht, ishte shumë minimale.

Ky akt e ka turpëruar publikisht edhe Abdixhikun dhe ka bërë që edhe mandati i tij të mos jetë plotësisht i qartë, të mbetet i kontestueshëm dhe të mos konsiderohet valid, duke pasur parasysh dallaveret që janë bërë në luftën kriminale për vjedhjen e votave edhe brenda një partie, ndërmjet kandidatëve për deputetë. Pas PDK-së, më së tepërmi bie në sy vetë LDK-ja, e cila përflitet se në zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të kaluar ka bërë vjedhje industriale, veçanërisht me manipulimin e votave të diasporës. Madje, personi që “mori” një numër marramendës votash të dyshimta për manipulim, kësaj radhe nuk u propozua fare as për kandidat.

Prandaj, votimi në Kuvendin e LDK-së, ku gati gjysma e delegatëve votuan kundër qëndrimit të mëtejmë të Lumir Abdixhikut dhe udhëheqjes aktuale në krye të LDK-së, përveçse nuk sjell qasje tjetër dhe nuk premton ndryshime konkrete në drejtimin e partisë, nuk jep as mesazhe pozitive për unitetin e brendshëm të LDK-së.

Rezultati gati i barabartë vetëm sa e rrit edhe më tepër përplasjen e brendshme, për një moment edhe më kontrovers, që mund të çojë në lindjen e fraksioneve dhe ndarjen përfundimtare të LDK-së. Kjo për faktin se kuadrot më të mira dhe aktivistët më të devotshëm të periudhave afatgjata nga Llapi dhe Dukagjini, me katapultimin e Abdixhikut në krye, një pjesë janë margjinalizuar tërësisht, e pjesa tjetër janë përjashtuar pa asnjë arsyetim nga partia. Kështu kanë mbetur njerëz si Kujtim Shala, Gazmend Muhaxhiri e Armend Zemaj, i cili rrah qytetarin në rrugë, ndërsa janë zëvendësuar me parashutistë dhe teprica teknologjike nga partitë e tjera, që përpos ardhjes si “turistë misteriozë politikë”, kanë uzurpuar edhe kryesinë e LDK-së pa qenë kurrë anëtarë apo aktivistë të saj, njëjtë si Abdixhiku. Ky është një akt HABITOR, të cilin çuditërisht Lumir Abdixhiku e quan edhe “prodhim të demokracisë maksimale që një parti mund të ketë”.

Dhe, për rrjedhojë, pakënaqësitë e mëdha me mënyrën e udhëheqjes së partisë nga Abdixhiku u shprehën më së miri dhe në formën më të qartë në Kuvendin 7-orësh të LDK-së, ku në votim të fshehtë, nga 302 delegatë pjesëmarrës, 164 prej tyre, për arsyet që vetëm ata i dinë, mbështetën vazhdimin e udhëheqjes së deritanishme kaotike të Lumir Abdixhikut, ndërsa 136 të tjerë ishin kundër kryesimit të partisë së dr. Ibrahim Rugovës nga një kryetar i katapultuar dhe i dëshmuar për dështime në udhëheqjen e partisë, si Lumir Abdixhiku.

Ndryshe, ai njihet edhe si përkëdheluri i Isa Mustafës, i cili, derisa vetë e la LDK-në në 12%, me Lumir Abdixhikun në krye, vetëm brenda një viti (9 shkurt – 28 dhjetor 2025), LDK-ja humbi mbi 52 mijë vota dhe pesë vende deputetësh në Parlament. Ky tandem e degradoi LDK-në e dr. Ibrahim Rugovës nga partia e parë dhe më e madhja në vend, në njërën nga partitë më të vogla dhe në segmentin e parafundit politik në Kosovë. Andaj, me Abdixhikun në krye, amullia dhe degradimi i LDK-së vetëm sa do të vazhdojnë deri në fragmentarizimin e plotë apo edhe ndarjen dhe shuarjen e kësaj partie, në kuptimin e saj të dikurshëm.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".