Helmimi nga uji në Gjoricë, tetë raste të reja

  • A.P /
  • 04 June 2023 - 12:59
Helmimi nga uji në Gjoricë, tetë raste të reja

Rreth 40 banorë të fshatit Gjoricë në Bulqizë janë paraqitur në qendrën shëndetësore me simptoma helmimi ditën e djeshme. Shkaku kryesor i helimit dyshohet të jetë bërë uji i pijshëm që furnizohet zona, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Mësohet se një ditë pas rasteve të helmimit nga uji, ujësjellësi ka ndërprerë furnizimin me ujë në fshat.

Gjithashtu sot janë raportuar raste të reja të helmimit. Tetë persona janë paraqitur në spital me simptoma helmimi. Nga analiza paraprake që është bërë, uji ka dalë i kontaminuar dhe për këtë arsye është marrë edhe masa për ndërprerjen e furnizimit me ujë deri në daljen e përgjigjes së analizave laboratorike.

Në lidhje me incidentin, Policia ka ngritur menjëherë grupin hetimor dhe në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të AKU-së, e nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Policia sqaron se është vënë në lëvizje vetëm tani pasi nuk ishte njoftuar nga banorët apo personeli i qendrës shëndetësore për ngjarjen.

“Sqarojmë se as gjatë ditës së djeshme dhe as ditën e sotme, në Komisariatin e Policisë Bulqizë nuk ka ardhur asnjë njoftim, nga banorët apo personeli i qendrës shëndetësore”- thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë banorët kanë treguar se ndër simptomat kryesore që i është shfaqur janë të vjellat. Një banor tha për Report Tv se helmimi nga uji i pijshëm është një rast i përsëritur në Gjoricë, pasi ka ndodhur rreth një vit më parë.

“Jam banor i fshatit Gjoricë. Ka të paktën ditë që ka ndodh ky problem. Njerëzit vazhdojnë pijnë akoma ujë se nuk dinë gjë. 99% uji i pijshëm. Gocën time 3-vjecare e kam pasur në spital. Duhet me pas më shumë siguri tek depozita e ujit. Shteti duhet të marrë masa për këtë gjë. I hedhin klor herë pas here. Duhet me pas kontroll më tepër prej shtetit. Hera e dytë që përsëritet ky problem në fshatin Gjoricë. Nuk është hera e parë, ka ndodhur edhe njëherë rreth një vit e ca më parë. Herës tjetër ka qenë më i vogël si problem”, thanë banorët.


(Kosova Sot Online)