Kurti: Nuk e harrojmë sa i lartë ka qenë çmimi që ka paguar populli ynë që ne sot të kemi Republikë

  • A.P /
  • 11 June 2023 - 11:25
Kurti: Nuk e harrojmë sa i lartë ka qenë çmimi që ka paguar populli ynë që ne sot të kemi Republikë

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë bërë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, ku kanë vendosur kurora lulesh, në 24-vjetorin e çlirimit të Komunës së Prishtinës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti është shprehur se ky muaj shënon kurorëzimin e përpjekjeve dhe sakrificave të panumërta të të gjithë brezave shqiptar për çlirimin e Kosovës.

Ai ka thënë se nuk e harrojnë asnjëherë sesa i lartë ka qenë çmimi që ka paguar populli ynë që të mund të kemi Republikë demokratike.

“Ky qershor shënon kurorëzimin e përpjekjeve dhe sakrificava të panumërta të të gjithë brezave të shqiptarëve për çlirimin e Kosovës dhe lirinë e popullit, andaj edhe ne përkulemi dhe bëjmë nderime. Nuk e harrojmë asnjëherë prej nga vijmë dhe sa i lartë ka qenë çmimi që ka paguar populli ynë që ne sot të mund të kemi Republikë demokratike me institucione shtetërore dhe me progres edhe ekonomik dhe demokratik”, është shprehur Kurti.

(Kosova Sot Online)