Netanjahu: Izraeli nuk pranon marrëveshje bërthamore me Iranin

  • A.P /
  • 11 June 2023 - 16:52
Netanjahu: Izraeli nuk pranon marrëveshje bërthamore me Iranin

Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu tha të dielën se ai i përsëriti Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken kundërshtimin e Izraelit ndaj një marrëveshjeje bërthamore të mundshme me Iranin. Kryeministri e shprehu këtë qëndrim, ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei tha se nuk do të ishte kundër arritjes së një marrëveshjeje me perëndimin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se një marrëveshje bërthamore me Iranin nuk do të frenonte programin bërthamor të republikës islamike dhe do t’i jepte Teheranit të ardhura të mëdha që mund t’i përdorë për të mbështetur grupet militante që kundërshtojnë Izraelin.

Duke folur në një takim të kabinetit të tij,Netanjahu tha se këtë qëndrim ia ka bërë të qartë edhe Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken gjatë një bisede telefonike të enjten.

“Gjatë bisedës e theksova qëndrimin tonë të vazhdueshëm, riaktivizimi i marrëveshjes bërthamore me Iranin, nuk do të ndalonte programin bërthamor të Iranit dhe thjesht do t’i mundësonte Teheranit që t’u dërgonte shuma të mëdha parash organizatave terroriste që veprojnë me sponsorizimin e tij në Lindjen e Mesme dhe përreth kufijve të Izraelit”, tha kryeministri izraelit, Netanjahu.

Paralajmërimi i kryeministrit Netanjahu u bë ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khaemeni tha të dielën se një marrëveshje me Perëndimin mbi programin bërthamor të Teheranit ishte i mundur nëse infrastruktura bërthamore e vendit do të mbetej e paprekur.

Irani dhe perëndimi patën arritur një marrëveshje në vitin 2015, por tre vjet më vonë presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump doli nga pakti dhe rivendosi sanksionet që kanë dëmtuar rëndë ekonominë e Iranit.

Uashingtoni dhe Teherani iu rikthyen bisedimeve përmes palëve të tjera për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore, por ato kanë ngecur që nga shtatori, pasi të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për kërkesa të paarsyeshme.

(Kosova Sot Online)