Osmani: Lirinë e çmuar e arritëm me solidaritetin dhe mbështetjen e miqve tanë nga e gjithë bota

  • A.P /
  • 12 June 2023 - 19:49
Osmani: Lirinë e çmuar e arritëm me solidaritetin dhe mbështetjen e miqve tanë nga e gjithë bota

Për korin diplomatik të akredituar në Kosovë dhe mysafirë të tjerë të shumtë, me rastin e 12 qershorit,  24 vjetorit të çlirimit të Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca e kryeministri Albin Kurti, organizuan pritje shtetërore, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani deklaroi se me 12 qershor 1999, Kosova fitoi të drejtën thelbësore të ekzistencës e cila formoi identitetin dhe përmbushi aspiratën shekullore dhe përcaktoi fatin kolektiv.

Ajo tha se Dita e Paqes, që njihet  edhe si Dita e Çlirimit është datë e rëndësishme në historinë e re të Kosovës.

“Kjo ditë shërben si një kujtesë e triumfit të shpirtit njerëzor mbi prangat dhe sakrificën e pareshtur për liri”, tha presidentja Osmani, në fjalën e  saj.

Ajo theksoi se kjo ditë përmbyllë një kapitull të errët të së kaluarës. “Dhe është dëshmi e vullnetit të paepur të atyre që luftuan për çlirim dhe të durueshmërisë së atyre që duruan tmerret e robërisë”, tha presidentja e shtetit.

Ajo tha se në një ditë si kjo, kujtohet me respekt kontributi i jashtëzakonshëm i heronjve tanë, martirëve, vajza dhe djemve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë.

“Aleatëve tanë që e bën të mundshme, realizimin e ëndrrës sonë për liri e për shtet”, tha presidentja Osmani. “Faleminderit të gjithëve. Liria jeni Ju”.

Duke rikujtuar përpjekjet e shumë gjeneratave të patriotëve shqiptarë të ngritur kundër shtypjes dhe për të drejtat njerëzore, Osmani tha se shumë nga ta janë bërë gur themel për lirinë tonë.

“Nga Isa Boletini e Hasan Prishtina, te presidenti historik, Ibrahim Rugova e komandanti i UÇK-së, Adem Jashari me familje, kombit dhe republikës i shërbyen me nder e pa kursyer asgjë, duke u shndërruar në simbole të shpresës, guximit e  qëndrueshmërisë”.

Në fjalën e saj, presidentja Osmani nuk la pa përmendur e falënderuar edhe aleatët e Kosovës, më në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Lirinë e çmuar e arritëm me solidaritetin dhe mbështetjen e miqve tanë nga e gjithë bota”, tha Osmani.

Ajo tha se aleatët tanë ishin avokatët e Kosovës në ditët më të errëta dhe luajtën rol të jashtëzakonshëm në mbështetjen e luftës sonë për liri.

“Sot e përjetësisht u jemi mirënjohës”, tha presidentja Osmani.

(Kosova Sot Online)