Kelani jep detaje: Policët i panë personat e maskuar, kur shkoi njësia tjetër s’i gjeti aty

  • A.P /
  • 14 June 2023 - 17:18
Kelani jep detaje: Policët i panë personat e maskuar, kur shkoi njësia tjetër s’i gjeti aty

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka treguar se si ndodhi kidnapimi i tre policëve në Leposaviq nga policia serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se ata ishin zyrtarë policorë kufitarë që ishin të ngarkuar me detyrën për të parandaluar kalimet ilegale, grupet kriminale të kontrabandojnë dhe të fusin mallra të ndryshme, përfshirë edhe armët.

Kelani tha se fillimisht ata i kishin parë disa persona të maskuar, për të cilët dyshohet se janë policët e njësisë speciale serbe që i rrëmbyen policët kosovarë.

“Fillimisht, njësiti policor në përbërje prej tre zyrtarëve kufitarë kanë parë që në afërsi në atë lokacion kanë lëvizur persona të dyshuar, të maskuar dhe të armatosur, e që dyshohet të kenë qenë forcat e njësiteve të armatosura të Serbisë. Menjëherë njësitë policore me njësitë tjera kanë shkuar me asistencë në atë lokacion ku me të arritur atje kanë vërejtur vetëm automjetin zyrtar dhe jo tre zyrtarët policorë kufitarë”.

Kelani tha se përveç dërgimit në terren të njësive policore i kanë njoftuar mekanizmat ndërkombëtarë dhe KFOR-n që të behet presion që ata të kthehen.

“Ata janë paqeruajtës që zbatojnë ligjin, në shërbim të vendit dhe gjithë qytetarëve pa dallim. Janë prindër dhe fëmijët presin që të kthehen në shtëpitë e tyre”.


(Kosova Sot Online)