Konjufca: I kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë

  • A.P /
  • 14 June 2023 - 18:23
Konjufca: I kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë

Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se dënon aktin e rëndë të rrëmbimit të tre policëve kufitarë të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Ky akt i cenimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia është tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve. Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cenimin e integritetit territorial të Kosovës”.

Konjufca tha se në kohën kur Qeveria e Kosovës po del me propozime për t’i gjetur zgjidhje destabilizimit të shkaktuar nga grupet kriminale të mbështetura nga Beogradi, Serbia dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje.

“Prandaj, i kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ. Me këtë akt, Serbia në mënyrë të hapur dhe tepër të rrezikshme e ka hedhur poshtë marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve të pranuar në Ohër dhe Bruksel”.

(Kosova Sot Online)