Kjo është përgjigja e plotë e Borell për kryeministrin Kurti

  • A.P /
  • 14 June 2023 - 22:55
Kjo është përgjigja e plotë e Borell për kryeministrin Kurti

Kryeministrit të Kosovës letrën për kushtet e Albin Kurtit për masat e de-përshkallëzimit të situatës,  ia ka kthyer Josep Borrell, shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Borrell ka thënë se Kurti nuk i ka adresuar të gjitha elementët kryesorë për t’u qetësuar situata në Veri.

Borrell kërkon që kryetarët të largohen përkohësisht nga objektet komunale. Po ashtu kërkohet që të largohen policët e Kosovës nga zona afër objekteve komunale.

Po ashtu, thotë se do t’i kërkojë Serbisë t’i largojë elementët radikalë nga ajo zonë.

Zyrtari i lartë i BE-së ka kërkuar që të organizohen zgjedhje të jashtëzakonshme në komunat veriore.

E për takimin e nivelit të lartë mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Borrell ka thënë se do të organizohet pas de-përshkallëzimit të situatës.

Më poshtë Letra e plotë e Borrellit:

-Si hap i parë, katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës duhet të përkohësisht të punojnë nga lokacione tjera e që nuk janë ndërtesat e komunave. Kryetarët e Zubin Potokut dhe Zveçanit aktualisht e kanë përfillur kërkesën. Ne besojmë që edhe kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, të cilët i përkasin partisë tuaj, të ndjekin këtë kërkesë.

-Ne gjithashtu kemi kërkuar suspendimin e operacioneve policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Njësia speciale e Policisë duhet të tërhiqet. Paralelisht ne jemi duke kërkuar edhe nga Serbia mbështetje për tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona. Pas shtensionimit të situatës ne jemi të gatshëm të diskutojmë aranzhimet e sigurisë me KFOR-in në katër komunat.

-Ne gjithashtu kemi kërkuar për zgjedhje të parakohshme sa më shpejtë që është e mundur në katër komunat veriore, dhe të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Ne presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe ia kemi bërë të qartë këtë kërkesë presidentit serb, Vuçiq. Bazuar në legjislacionin e Kosovës, janë disa mënyra për mbajtjen e zgjedhje të reja.

Sa i përket pikave të tjera që keni ngritur në letrën tuaj:

-Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për dhunën e kryer më 29 maj dhe EULEX-i do t’i monitorojë të gjitha hetimet në linjë me mandatin e tij.

-Siç e dini mirë, jam i gatshëm të thërras një mbledhje të nivelit të lartë me ju dhe presidentin Vuçiq nën parakushtin se ju jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm që fillimisht të depërshkallëzoni dhe hapni rrugën për zgjedhje të reja lokale. Nuk mund të bëjmë progres në normalizimin e marrëdhënieve, derisa merremi me menaxhimin e krizave. Blloku i BE-së dhe SHBA-ja kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam ta shohim se po lëviz përpara. Për këtë arsye, depërshkallëzimi është i nevojshëm menjëherë. Nëse jeni të gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim mund të organizohet shpejt.

-Sa i përket “planit të sekuencimit” , tashmë keni pranuar komentet e detajuara nga ne mbi propozimin tuaj. Të dyja palët kanë pranuar një draft-propozim të ri nga Lajçaku, i cili merr shumë nga sugjerimet e juaja. Ne po presim përgjigjet nga palët dhe po presim që ky propozim të jetë i pranueshëm për të dy.

-Sa i përket vlerësimit të mundshëm të përbashkët të sigurisë, këto mund të diskutohen pasi të arrihet depërshkallëzimi. Megjithatë, kjo nënkupton se ju do të merrnit opinionet nga EULEX-i dhe KFOR-i plotësisht dhe t’i trajtoni ata si partnerë, e cila po ashtu nënkupton koordinimin me ta paraprakisht. Theksojmë me keqardhje se kjo nuk u bë dje në rastin e operacionit në Mitrovicën e Veriut. Prandaj, çdo masë e sundimit të ligjit në të ardhmen në veri të Kosovës duhet të diskutohet dhe individualisht të vlerësohet bashkë me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet në të kaluarën kanë treguar se jo çdo masë e ndërmarrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë në kontekstin e një mjedisi shumë të brishtë.

Ju nxis të adoptoni më shumë hapa për të depërshkallëzuar situatën, bashkë me masat e kërkuara nga shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-ja. Vetëm pasi paqja dhe stabiliteti të rikthehen në veri të Kosovës, mund të fokusohemi në normalizim, përmes implementimit të plotë nga të dyja palët të Marrëveshjes drejt zbatimit të Aneksit; puna që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të fillojë pa ndonjë shtyrje të mëtejme apo parakusht.

Ashtu siç e kanë bërë shumë të qartë 27 shtetet anëtare të BE-së, dështimi për depërshkallëzim do të rezultojë në pasoja negative. Shtetet anëtare janë informuar për masat dhe do të komunikojmë me to publikisht.

(Kosova Sot Online)