Pjesëtarë të “SAJ” dhe “Kobra” kryen inkursionin në Veri për t’i kidnapur policët, detajet që i dha Kurti

  • S.A /
  • 15 June 2023 - 12:18
Pjesëtarë të “SAJ” dhe “Kobra” kryen inkursionin në Veri për t’i kidnapur policët, detajet që i dha Kurti

“Kidnapim, jo arrestim”. Këtë kryeministri Albin Kurti e tha disa herë në një konferencë për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, që u mbajt sot në orën 07:00.

Kurti ka përmendur dy njësite të Serbisë që tha se të mërkurën u futën në territorin e Kosovës për t’i kidnapuar tre policë patrollues kufitar në zonën kufitare të njohur si Bare/Tresav në komunën e Leposaviqit. Me to, ai ka thënë se duhej të merrej KFOR-i, transmeton "Kosova Sot Online".

“Bëhet fjalë për dy formacione të armatosura të Serbisë të cilat kanë hyrë në territorin e Kosovës dhe me të cilët do të duhet të merrej KFOR-i: është njësia speciale antiterroriste, që ata e quajnë Sai, dhe është njësia speciale ushtarake që ata e quajnë Kobra. Pra, Sai dhe Kobra janë njësitë që duket se kanë bërë vëzhgim dhe më pastaj edhe kidnapim”, tha Kurti.

Kryeministri tha se ky rast ishte “agrasion ndaj shtetit”.

“…Agresion ndaj shtetit tonë demokratik, hakmarrje ndaj Policisë së Kosovës që po e lufton krimin dhe intencë për eskalim e destabilizim në kohën kur ne tashmë kemi prezantuar planin pesëpikësh të depërshkallëzim, pra deeskalim dhe për normalizim”.

Për këto arsye, Kurti tha se “institucionet tona të rendit dhe sigurisë e kanë rritur nivelin gatishmërisë”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se ka pasur më shumë pjesëtarë të këtyre dy njësiteve në aksion, sesa që është parë në fotografi.

“Ky ka qenë një aksion i këtyre dy njësive speciale me numër shumë më të madh sesa që ju keni parë apo sesa që kanë qenë pjesëtarët e Policisë sonë”, tha Sveçla.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, përveç Kurtit dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, e të tjerë.

Tre policë patrollues të kufirit u kidnapuan të mërkurën nga një njësit special i policisë serbe, sipas Policisë së Kosovës, “thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës”. Ata ishin në detyrë, siç u tha, në një pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.

Kurti tha dje se dyshojnë se “ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”. Lune u arrestua të martën në Mitrovicën e Veriut. Sveçla e përshkroi atë si organizator të sulmeve ndaj Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve.

(Kosova Sot Online )