Kurti: Mbrojtja e vijës kufitare është përgjegjësi e përbashkët e KFOR-it dhe e policisë sonë

  • A.P /
  • 15 June 2023 - 18:25
Kurti: Mbrojtja e vijës kufitare është përgjegjësi e përbashkët e KFOR-it dhe e policisë sonë

Pas kidnapimit të policëve të Kosovës nga Serbia, kryeministri Albin Kurti u ftua në Kuvend që të raportojë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai tha se KFOR e ka në përgjegjësi vijën kufitare në këtë rast dhe tha se është në pritje që misioni i NATO-s ta marrë përgjegjësinë.

“Mbrojtja e vijës kufitare është përgjegjësi e përbashkët e KFOR-it dhe e policisë sonë. Në rastet kur agresioni është i përmasave ushtarake, përgjegjësia e mbrojtjes së vijës kufitare do të duhej të ishte e KFOR-it. Prandaj, ne jemi ende në pritje të KFOR-it që ta marrë përgjegjësinë efektive për ushtrimin e funksionit të saj mbrojtës që t’i kthejë në Kosovë policët e kidnapuar dhe të ndëshkojë këtë shkelje flagrante të integritetit territorial, sovranitetit tonë”.

“KFOR nuk do të duhej të ishte i heshtur dhe as i përulur ndaj një sulmi kidnapues të cilin e kishte edhe mandat ta parandalonte. Nëse KFOR e shndërron këtë heshtje në normë dhe njëfarë nënshtrimi të heshtur në ligj që dihet publikisht andaj një gjë të tillë le të na thotë hapur dhe ashtu do e mohojë një përgjegjësi ndërkombëtare që ishte dashur ta përmbushë efektivisht”.

Ai tha se kidnapimi i policëve ishte hakmarrje dhe agresion nga Serbia.

(Kosova Sot Online)