Rama: Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun

  • A.P /
  • 19 June 2023 - 13:52
Rama: Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun

Presidentit Aleksandër Vuçiç për lirimin e tre policëve kosovarë të rrëmbyer në veri nga forcat serbe, i ka bërë sërish thirrje kryeministri Edi Rama, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Rama shkruan se nëse lirimi i tyre nuk do bëhet sa më shpejt marrëdhënia e Shqipërisë me Serbinë do të bëjë shumë hapa mbrapa.

Ndërsa i është drejtuar edhe kryeministrit Albin Kurti për ulje të gjakrave që situata mos të agravohet dhe mos ta humbë Veriun.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!

Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!“, ka shkruar Rama.

(Kosova Sot Online)