Kurti do pajtueshmëri në parim për Asociacionin, Escobar: S’ke pse pret, po kërkojmë model europian

  • S.A /
  • 22 June 2023 - 12:18
Kurti do pajtueshmëri në parim për Asociacionin, Escobar: S’ke pse pret, po kërkojmë model europian

I dërguari amerikan, Gabriel Escobar e ka kundërshtuar idenë e kryeministrit Albin Kurti që të ketë dakordim për parimet e Asociacionit para se Kosova ta paraqesë një draft-statut. “Nuk ka përse të presë për këtë”, thotë diplomati amerikan, duke theksuar se po kërkojnë vetëm një model europian që s’do ta pengojë funksionalitetin e shtetit, transmeton "Kosova Sot Online".

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para dy javësh tha se mund ta thellojë draft-vizionin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin e kishte paraqitur në takimin e 2 majit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel. Por, ai fillimisht kërkon që të ketë pajtueshmëri për parimet kryesore të Asociacionit.

Kurti në një seancë të Kuvendit më 8 qershor shprehte dyshimet se mund të kërkohej gjetja e një mesatareje ndërmjet draft-statutit të propozuar nga Kosova dhe draft-statutit të propozuar më 2 maj nga ekipi menaxhues i përbërë nga serbët, për të cilin ai pati thënë se “është rezultat i dëshirës për Republika Srpska në Kosovë”.

“Unë këtë [draft-vizionin për Asociacionin] mund të thellojë, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën se unë i kam thënë në parim, kur të pajtohemi në parim atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, ka thënë Kurti në Kuvend.

Escobar: Kurti s’duhet të presë, s’po kërkojmë mjet matematikor midis dy qëndrimeve, po kërkojmë një version europian

Zgjedhje të reja në veri duke u tërhequr nga të gjitha veprimet e fundit dhe Asociacioni në rend. Këto janë kërkesat e ndërkombëtarëve të cilave po iu reziston ende Kurti.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar tha të mërkurën në një intervistë për Zërin e Amerikës se Kurti “nuk ka përse të presë për këtë”.

“Nuk ka përse të presë për këtë. Nuk duhet të presë për këtë. Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një model europian. Pra, qëndrimi ynë, qëndrimi amerikan, ka qenë gjithnjë se modeli i Asociacionit duhet të jetë i tillë që të ofrojë shërbime komunale për një pakicë kombëtare të gjuhës serbe. Kaq – shërbime komunale”, tha Escobar.

Diplomati amerikan tregoi edhe se çfarë nuk duhet të jetë Asociacioni, duke përmendur 16 modelet që i dërguari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak ia ka oftuar Kosovës.

“Ajo nuk duhet të ndërhyjë me kushtetutën e Kosovës, strukturën e saj ligjore, apo funksionalitetin e saj. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Europian u ka dhënë 16 lloje të ndryshme modelesh europiane, që do të funksiononin për Kosovën. Në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij. Pra, nuk po kërkojmë një mjet matematikor midis dy qëndrimeve. Kërkojmë një version europian. Pra, atij nuk i duhet asgjë më shumë se kjo”, tha Escobar.

Bashkësia ndërkombëtare po pret që kryeministri Albin Kurti të ndërrojë qëndrim dhe t’i pranojë kërkesat e tyre për shtensionimin e situatës në veri, pasi e shohin përgjegjës shefin e Qeverisë së Kosovës për përshkallëzimin në veri.

Në kërkesat e fundit nga Brukseli dhe Washingtoni, s’është harruar të përmendet Asociacioni. Për të nisur punën “pa asnjë vonesë” për themelimin e një bashkësie komunash me shumicë serbe, BE ka kërkuar që të mos ketë parakushte.

Escobar ka thënë se përveç porosisë së Washingtonit për t’i tërhequr kryetarët dhe policët nga ndërtesat komunale në veri, dhe më pas “të nisin diskutimet për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Ai më herët s’e ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni i komunave me shumicë serbe të formohet me një kryeministër tjetër dhe jo Albin Kurtin. Escobar ka thënë se Kurti duhet ta prezantojë një draft të statutit të Asciacionit “tani, menjëherë”.

“Ata duhet menjëherë të prezantojnë një draft që do të jetësojë atë, menjëherë. Tani. Menjëherë. Dhe ata e kanë një, por nuk duan paraqesin”, ka thënë ai në një bisedë me gazetarë më 6 qershor.

Escobar tha se Asociacioni “do të ndodhë”. Pyetja, thotë ai, është vetëm “me kë”.

Këtë e kishte thënë paraprakisht në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse” dhe të njëjtën gjë e përsëriti edhe nga vizita e fundit në Beograd.

“Në një moment, nëse Kosova dëshiron të ecë përpara me integrimin e saj, ajo duhet ta formojë Asociacionin. Pyetja është se a do të ndodhë kjo me këtë qeveri apo me qeverinë e ardhshme”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online )