Konjfuca kërkon ndihmën e Shqipërisë

  • A.P /
  • 23 June 2023 - 16:15
Konjfuca kërkon ndihmën e Shqipërisë

“Shqipëria dhe Kosova, si dy shtete aspirante për integrim në Bashkimin Evropian, por para së gjithash si dy shtete që përfaqësojnë ëndrrën e të njëjtit komb, duhet të jenë në krah të njëra-tjetrës në procesin e gjatë e të vështirë të integrimit në BE”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kreu i Kuvendit shtoi se në këtë proces Shqipëria si shtet me përvojë të avancuar në sferën e integrimit evropian, mund ta ndihmojë shtetin e Kosovës në kapërcimin e pengesave, të cilat ajo i ka tejkaluar.

Gjithashtu kryetari Konjufca tha se mënyra më e mirë e kompensimit të kohës së të qenit të ndarë padrejtësisht, është kjo, nëpërmjet bashkëpunimit në fushën e legjislacionit, krijimit të trupave të përhershëm dhe shkëmbimit të përvojave reciproke. Kreu i Kuvendit tha se kjo mundëson largimin e dallimeve sociale, të cilat janë prodhuar si rezultat i ndarjes juridike e politike të kombit tonë.

“Është në dorën tonë, si shtete dhe si parlamente, që ta kompensojmë kohën e gjatë e të qenit të ndarë padrejtësisht, që tani përmes legjislacionit të sheshojmë dallimet sociale që kanë prodhuar rendet e ndara politike e juridike mbi kombin tonë, veçanërisht në Kosovë dhe trojet e tjera jashtë Shqipërisë. Në modernitet identiteti kombëtar dhe kultura kombëtare kultivohen çdo ditë me mekanizma shtetërorë, me synimin për ta mirëmbajtur homogjenitetin dhe kohezionin social e identitar, të domosdoshëm për ekzistencën dhe prosperitetin e kombit tonë”, ka potencuar Konjufca.

(Kosova Sot Online)