Kush la prapa pikëpyetje për pushtetin e Putinit?

  • A.P /
  • 25 June 2023 - 13:30
Kush la prapa pikëpyetje për pushtetin e Putinit?

Sfida më e madhe e presidentit rus Vladimir Putin në më shumë se dy dekadat e tij në pushtet u shua, pasi komandanti i mercenarëve të grupit Wagner, i cili urdhëroi trupat e tij të marshonin drejt Moskës, papritmas arriti një marrëveshje me Kremlinin për të shkuar në mërgim dhe urdhëroi trupat e tij të tërhiqen, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Revolta e shkurtër, megjithatë, shpërfaqi dobësitë e forcave qeveritare ruse, ndërsa luftëtarët e grupit Wagner nën komandën e Yevgeny Prigozhinit qenë në gjendje të lëviznin pa pengesa në qytetin rus të Rostov-on-Don dhe të përparonin qindra kilometra drejt Moskës. Ushtria ruse u vu në lëvizje për të mbrojtur kryeqytetin e Rusisë.

Sipas marrëveshjes së shpallur të shtunën nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, Prigozhini do të shkojë në Bjellorusinë fqinje, e cila ka mbështetur agresionin e Rusisë në Ukrainë. Akuzat kundër tij për kryengritje të armatosur do të rrëzohen.

Qeveria tha gjithashtu se nuk do të ndjek penalisht luftëtarët e grupit Wagner që morën pjesë, ndërsa atyre që nuk u bashkuan në kryengritje do t’u ofrohen kontrata nga ministria e Mbrojtjes. Prigozhini urdhëroi trupat e tij të kthehen në kampet e tyre fushore në Ukrainë, ku ata kanë luftuar së bashku me ushtarët e rregullt rusë.

Presidenti Putin u zotua të shtunën paradite të ndëshkonte ata që qëndronin pas kryengritjes së armatosur të udhëhequr nga favoriti i tij i dikurshëm. Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, ai e quajti kryengritjen një “tradhti”.

Lejimi i largimit të Prigozhinit dhe forcave të tij, tha zëdhënësi Peskov, ishte “qëllim më i lartë” i Putinit që “të shmangte gjakderdhjen dhe konfrontimin e brendshëm me pasoja të paparashikueshme”.

Rreziku për Putinin është nëse ai do të shihet si i dobët, thonë analistët.

“Putini është dobësuar përgjithmonë nga kjo aferë”, tha për rrjetin CNN ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, John Herbst.

Moska u bë gati për përballje me forcat e grupit Wagner duke ngritur pika kontrolli me automjete të blinduara dhe trupa në pjesën jugore të qytetit. Rreth 3,000 ushtarë çeçenë u tërhoqën nga luftimet në Ukrainë dhe u nisën me nxitim atje herët të shtunën, njoftoi televizioni shtetëror në Çeçeni. Trupat ruse të armatosura me mitraloza vendosën pika kontrolli në periferinë jugore të Moskës, ndërsa pjesë të autostradave u gërmuan për të ngadalësuar marshimin.

Trupat Wagner përparuan në vetëm 200 kilometra nga Moska, sipas Prigozhinit. Por pasi u arrit marrëveshja, ai njoftoi se kishte vendosur të tërhiqej për të shmangur “gjakderdhjen”.

Prigozhini kishte kërkuar shkarkimin e ministrit të Mbrojtjes Sergei Shoigu, të cilin e ka kritikuar prej kohësh me përçmim për drejtimin e luftës 16-mujore në Ukrainë. Të premten, ai akuzoi forcat nën komandën e ministrit Shoigu se sulmuan kampet e Wagner duke vrarë “një numër të madh të shokëve tanë”.

Nëse presidenti Putin do të pranonte rrëzimin e ministrit Shoigu, do të ishte politikisht e dëmshme për të pasi ai e cilësoi Prigozhinin si një tradhtar që goditi me thikë pas shpine.

Shërbimet amerikane të zbulimit kishin informacione se Prigozhini kishte grumbulluar forcat e tij pranë kufirit me Rusinë për një kohë. Kjo bie ndesh me pretendimin e Prigozhinit se kryengritja e tij ishte përgjigje ndaj një sulmi ndaj kampeve të tij në Ukrainë të premten nga ushtria ruse.

Me shpalljen e kryengritjes, Prigozhini akuzoi forcat ruse se sulmuan kampet e grupit Wagner në Ukrainë me raketa, helikopterë dhe artileri. Ai pretendoi se gjenerali Valery Gerasimov, shef i Shtabit të Përgjithshëm, urdhëroi sulmet pas një takimi me ministrin Shoigu, në të cilin ata vendosën të shkatërronin grupin.

Ministria e Mbrojtjes mohoi të ketë sulmuar kampet.

Udhëheqësit e Kongresit u informuan për grumbullimin e trupave të grupit Wagner në fillim të javës së kaluar, tha një njohës i çështjes që foli për Associated Press me kusht që të mos identifikohet. Njoftimi për informatat e zbulimit amerikan u raportua për herë të parë nga rrjeti CNN.

Një motiv i mundshëm për kryengritjen e Prigozhinit ishte kërkesa e ministrisë së Mbrojtjes, të cilën presidenti Putin e mbështeti, që kompanitë private të nënshkruanin kontrata me të deri më 1 korrik. Prigozhini kishte refuzuar ta bënte këtë.

“Është e mundur që ai goditi tani sepse e pa atë afat si një rrezik për kontrollin e trupave të tij”, shkroi ambasadori Herbst në një artikull për Këshillin Atlantik.

Të shtunën herët, ushtria private e Prigozhinit u duk se kontrollonte shtabin ushtarak në Rostov-on-Don, një qytet rreth 1 mijë kilometra në jug të Moskës, prej nga drejtohen operacionet ruse në Ukrainë, tha ministria britanike e Mbrojtjes.

Mediat ruse raportuan se disa helikopterë dhe një aeroplan ushtarak u rrëzuan nga trupat Wagner. Ministria ruse e Mbrojtjes nuk i ka komentuar njoftimet.

Pasi marrëveshja uli tensionet, videot e postuara në rrjetet sociale ruse shfaqën njerëz që brohorisnin trupat e Wagnerit teksa largoheshin. Prigozhini udhëtonte me në një fuoristradë të ndjekur nga një kamion dhe të tubuarit e përshëndetën dhe disa vrapuan për t’i shtrënguar dorën. Guvernatori rajonal më vonë tha se të gjitha trupat ishin larguar nga qyteti.

Trupat dhe pajisjet e Wagnerit u panë gjithashtu në provincën Lipetsk, rreth 360 kilometra në jug të Moskës.

Kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobyanin e shpalli të hënën një ditë jo pune për shumicën e banorëve si pjesë e masave të shtuara të sigurisë, një masë që mbeti në fuqi edhe pas tërheqjes së Wagnerit.

Ukrainasit shpresonin se luftimet e brendshme ruse do të krijonin mundësi që ushtria e tyre të rimarrë territoret e pushtuara nga forcat ruse.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha të shtunën vonë, pak para se Prigozhini të shpallte tërheqjen e tij, se marshimi shpërfaqi dobësinë e Kremlinit dhe “u tregoi të gjithë banditëve, mercenarëve, oligarkëve rusë” se është e lehtë të kapësh qytetet ruse “dhe, ndoshta, arsenalet”.

Trupat Wagner kanë luajtur një rol vendimtar në luftën e Ukrainës, duke pushtuar qytetin lindor të Bakhmutit, një zonë ku janë zhvilluar betejat më të përgjakshme dhe më të gjata. Por Prigozhini e ka kritikuar gjithnjë e më shumë udhëheqjen e ushtrisë, duke e akuzuar atë për paaftësi dhe për mungesë municionesh për trupat e tij.

(Kosova Sot Online)