NATO: Si pasojë e gabimit strategjik për të sulmuar Ukrainën rebelimi i ‘Wagner-it’

  • A P /
  • 26 June 2023 - 16:55
NATO: Si pasojë e gabimit strategjik për të sulmuar Ukrainën rebelimi i ‘Wagner-it’

Bashkimi Evropian ka vendosur sot të shtojë 3.5 miliardë euro në fondin që ndihmon ushtarakisht Ukrainën ndërsa vazhdojnë diskutimet rreth zhvillimeve të fundjavës në Rusi kur grupi mercenar Wagner u rebelua kundër presidentit rus, Vladimir Putin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ndërsa ende nuk dihet saktë se cilat do të jenë pasojat e kësaj kryengritjeje të dështuar, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg thotë se ajo që ndodhi është rezultat i gabimit strategjik të presidentit rus, Putin për të sulmuar Ukrainën.

Sekretari i përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se aleanca po vëzhgon situatën në Rusi pas rebelimit të grupit mercenar rus, Wagner. Sipas zotit Stoltenberg, zhvillimet e fundit janë një çështje e brendshme e Rusisë.

“Ato janë edhe një tjetër demonstrim i gabimit të madh strategjik që Presidenti Putin bëri me aneksimin e tij të paligjshëm të Krimesë dhe luftën kundër Ukrainës”.

Presidenti rus Vladimir Putin u përball me një sfidë të paprecedentë ndaj autoritetit të tij gjatë fundjavës nga një kryengritje e dështuar nga luftëtarët mercenarë të Grupit Wagner.

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian janë mbledhur sot në Luksemburg ku kanë vendosur të shtojnë edhe 3.5 miliardë euro në fondin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell, duke folur me gazetarët para takimit, tha se revolta e fundjavës në Rusi tregoi se lufta ka krijuar çarje në sistemin politik të Rusisë.

“Lufta kundër Ukrainës, e nisur nga Putini dhe përbindëshi që ai krijoi me Wagnerin, tani i janë kthyer kundër. Përbindëshi po vepron kundër krijuesit të tij. Sistemi politik po tregon brishtësi dhe fuqia ushtarake po plasaritet”, tha zoti Borell.

Britania është e përgatitur për një sërë skenarësh në Rusi, tha të hënën kryeministri britanik Rishi Sunak, duke vënë në dukje ndikimin destabilizues të tensioneve midis Grupit mercenar Wagner dhe Presidentit Putin.

“Ajo që pamë gjatë kësaj fundjave është një shembull i asaj që del në pah si rezultat i agresionit rus në Ukrainë. Është padyshim shumë herët për të parashikuar se çfarë mund të ndodhë. Unë jam në kontakt me aleatët dhe ne jemi të përgatitur për një sërë skenarësh”, tha kryeministri britanik, Sunak.

Gjatë qëndrimit në Lituani shefi i NATO-s Stoltenberg tha gjithashtu se aleanca po vëzhgonte situatën në një tjetër vend fqinj të Rusisë, Bjellorusi. Ky vend i lejon Rusisë të përdorë territorin e saj për luftën në Ukrainë dhe gjithashtu ka bërë marrëveshje për vendosjen e armëve bërthamore ruse në Bjellorusi.

“Kjo është e pamatur dhe e papërgjegjshme. Ne nuk shohim asnjë shenjë se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore, por NATO mbetet vigjilente”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg.

Rusia është vendi me arsenalin më të madh bërthamor në botë dhe zhvillimet e fundjavës i lanë qeveritë miqësore dhe armiqësore ndaj Rusisë në kërkim të përgjigjeve për atë që mund të ndodhë pas rebelimit të Grupit Wagner.

(Kosova Sot Online)