Krasniqi: Sot Kosova është futur nën sanksione të BE-së, ndërsa Serbia po vlerësohet si palë kooperative

  • E.K /
  • 02 July 2023 - 15:34
Krasniqi: Sot Kosova është futur nën sanksione të BE-së, ndërsa Serbia po vlerësohet si palë kooperative


Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka komentuar situatën në veri të vendit dhe qëndrimin e kryetarit të Leposviqit, Lulzim Hetemi në objektin e komunës, përcjell "Kosova Sot Online".

Krasniqi në Facebook, ka thënë se mbajtja e kryetarit Luzlim Hetemi, është “një skenar për ta shfrytëzuar naivitetin e Albin Kurtit, si favor për Serbinë”.

Krasniqi ka shkruar Se SHBA dhe BE janë në përpjekje të forta që ta shkëpusin disi Serbinë nga influenca ruse e brenda atij projekti janë duke i bërë favore edhe në Kosovë.

Shkrimi i plotë:

SHBA dhe BE kërkojnë që Lulzim Hetemi të mos jetë në objektin e komunës së Leposaviqit, po në ndonjë objekt alternativ. Ndërsa KFOR i ofron siguri qëndrimit të Lulzim Hetemit në objektin e komunës. Çka i bie kjo? A i bie që SHBA e BE nuk janë të koordinuar me KFOR-in? Jo. Po për çka është fjala, pra? Me sa duket, është fjala për një skenar për ta shfrytëzuar naivitetin e Albin Kurtit, si favor për Serbinë. Siç dihet, SHBA dhe BE janë në përpjekje të forta që ta shkëpusin disi Serbinë nga influenca ruse e brenda atij projekti janë duke i bërë favore edhe në Kosovë. Plani franko-gjerman dhe Plani i Zbatimit të Ohrit, ishin dhuratë e madhe për Serbinë. Falë gabimeve trashanike që ka bërë Kurti, që nga vendimi për targat e deri te ngujimi i Lulzim Hetemit, ato favore po shtohen. Sot Kosova është futur nën sanksione të BE-së, ndërsa Serbia po vlerësohet si palë kooperative. Prandaj ata do ta ruajnë Lulzim Hetemin si sytë e ballit, aq sa u duhet në këtë skenar. P.S. Ngushëllimin e vetëm mund ta kemi se nuk është hera e parë në jetën tonë politike, që budallallëkun e shpallim si mençuri dhe mercenarizmin si atdhetarizëm.

(Kosova Sot Online)