Deputetja britanike Alicia Kearns denoncon me fakte: Sulmet ndaj KFOR-it dhe rezervat e gjetura nga policia demonstrojnë praninë e armëve ilegale

  • S.A /
  • 06 July 2023 - 12:54
Deputetja britanike Alicia Kearns denoncon me fakte:  Sulmet ndaj KFOR-it dhe rezervat e gjetura nga policia demonstrojnë praninë e armëve ilegale

Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns thotë se sulmet e fundit me armë zjarri ndaj KFOR-it dhe rezervat e armëve që janë gjetë nga Policia e Kosovës demonstrojnë praninë e gjerë të armëve ilegale dhe kontrabandë në veri të Kosovës, transmeton "Kosova Sot Online".

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kearns thotë se kjo kërkon veprim urgjent për të siguruar që çdo përshkallëzim i mëtejshëm të mos rezultojë në dhunë fatale.

“Sulmet e fundit me armë zjarri ndaj KFOR-it dhe rezervave të armëve të gjetura nga policia kosovare, të gjitha demonstrojnë praninë e gjerë të armëve ilegale dhe kontrabandë në veri të Kosovës. Kjo kërkon veprim urgjent për të siguruar që çdo përshkallëzim i mëtejshëm të mos rezultojë në dhunë fatale. Jam i kënaqur që çështja e lëvizjeve të armëve po merr fokusin që kërkon” – ka thënë Kearns.

Deputetja britanike thekson se tashmë ka nevojë për bashkëpunim nga Serbia, Kosova dhe komuniteti ndërkombëtar për të gjetur dhe konfiskuar armët ilegale.

“Tani kemi nevojë për bashkëpunim nga Serbia, Kosova dhe komuniteti ndërkombëtar për të gjetur dhe konfiskuar armët ilegale”- është shprehur Kearns.

Kearns, të martën para në një diskutim në parlamentin britanik ka deklaruar se ka armë që po kontrabandohen nga Serbia në Kosovë, e sipas saj, armët janë transportuar me autoambulanca dhe janë dërguar në kishat ortodokse.

Kearns ka theksuar se për këtë KFOR-i britanik është në dijeni.

Për këtë deklaratë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR ka thënë se kjo ngjarje që është përmendur nga deputetja britanik i referohet vitit 2022 kur Batalioni Mbretëror Fusilier [regjiment ushtarak britanik] u punësua në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të KFOR-it.

KFOR në deklarimin e tyre thanë se prezenca e supozuar e armëve ilegale është raportuar edhe në Shtabin e KFOR-it, por pas hetimeve të mëtejshme për të gjetur konfirmimin e kësaj, nuk ka dalë asnjë provë për atë që është raportuar.

Dhjetëra pajisje ushtarake, automatike, lloje të armëve e municionit, uniforma e shenja janë gjetur brenda një veturë e cila ishte parkuar vetëm 100 metra larg Komunës së Zveçanit më 24 qershor të këtij viti, kur edhe u identifikua nga Policia e Kosovës.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, qytetarë të komunitetit serb kanë mbajtur protesta. Më 29 maj, nga përplasja e protestuesve me pjesëtarët e KFOR-it kanë mbetur të lënduar dhe plagosur 30 pjesëtarë të KFOR-it. Po ashtu, protestuesit kanë sulmuar edhe policët, gazetarët dhe qytetarë.

(Kosova Sot Online )