Përfshihet nga zjarri një banesë në Gjilan, Policia gjen brenda saj një person 50 vjeçar pa shenja jete

  • S.A /
  • 08 July 2023 - 13:02
Përfshihet nga zjarri një banesë në Gjilan, Policia gjen brenda saj një person 50 vjeçar pa shenja jete

Sot në mëngjes një banesë është përfshirë nga zjarri në Gjilan, ku si pasojë një 50-vjeçar ka humbur jetën, transmeton "Kosova Sot Online".

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Drejtoria rajonale e Policisë, stacioni policor në Gjilan, sot më 08.07.2023 në orën 08:45 nga qendra emergjente 112 është pranuar një informatë se nga një banesë  afër tregut të gjelbër kati i katërt është duke dalë tym. Janë angazhuar njësitet patrulluese. Njësitet e zjarrfikësve me urgjencë kanë dalë në vend të ngjarjes”, ka thënë Hashani. 

Sipas tij, janë evakuuar të gjithë banorët e banesave përreth për çështje sigurie.

“Hetuesit rajonalë kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkë me prokurorin e shtetit. Nga hetimet e para njoftohet se në banesë është gjetur një person pa shenja jete i gjinisë mashkullore rreth 50-vjeç . Prokurori i shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML”, ka deklaruar ai.

Tutje, ai ka treguar se hetuesit rajonalë janë duke i hetuar rrethanat e këtij rasti të rëndë që rezultoi me vdekjen e një personi.

(Kosova Sot Online )