Bislimi: Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve, nuk mund të fshihen më

  • S.A /
  • 12 July 2023 - 11:48
Bislimi: Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve, nuk mund të fshihen më

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi mbrëmë për marrëveshjen me emisarin e Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak për shtensionimin e situatës në veri, duke thënë se veprimet “do tё finalizohen brenda njё periudhe dyjavore”, transmeton "Kosova Sot Online".

Bislimi tha se tani “ka ardhur momenti që “Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara”. Ai javën e ardhshme pritet të shkojë në Bruksel për t’u takuar me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, ku synohet të bëhet finalizimi i planit tё sekuencimit pёr Marrёveshjen drejt Normalizimit, pas tё cilit pritet tё fillojё zbatimi i saj.

“Ka ardhur momenti që Serbia t’i përmbahet zotimeve të saj përpara BE-së dhe të zbatojë marrëveshjet e dakorduara. Nuk mund të fshihen më prapa tentativave për tensione e kriza, për eskalim të situatës. Ka ardhur momenti që marrëveshja të zbatohet, në mënyrë të drejtë, të pakushtëzuar e të balancuar”, shkroi Bislimi në Facebook.

Kryenegociatori i Kosovës foli për konstruktivitetin në dialog që, siç tha ai, Kosovës nuk i ka munguar asnjëherë.

“E këtë po e dëshmojmë në vazhdimësi. Asnjëherë nuk kemi vepruar apo kontribuar në eskalimin e situatës në veri, por vetëm në mbrojtje të kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë në vend. Në këtë frymë i marrim të gjitha vendimet e hapat tonë”, shkroi Bislimi në Facebook.

(Kosova Sot Online )