Ja si ndikon Ballkani Perëndimor në ndryshimet klimatike

  • A.P /
  • 16 July 2023 - 17:48
Ja si ndikon Ballkani Perëndimor në ndryshimet klimatike

Në fillim të korrikut të sivjetmë, rekordet për temperaturën më të lartë mesatare në botë u thyen tri herë brenda një jave, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 Rekordi i ri u vendos më 7 korrik, kur bota ishte për 0.31 gradë Celsius më e nxehtë sesa në gusht të vitit 2016, kur ishte vendosur rekordi i mëparshëm.

Ndër shkaqet që kanë çuar në këto temperatura të larta është sasia e madhe e dyoksidit të karbonit në atmosferë. Në këtë sasi kontribuojnë edhe Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor – më së shumti Serbia.

Sipas agjencisë për klimën në Administratën Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sasia e rritur e dyoksidit të karbonit në atmosferë shkakton “ngritjen e temperaturës globale”.

“Duke shtuar më shumë dyoksid të karbonit në atmosferë, njerëzit janë bërë katalizatorë të efektit serrë”, thuhet në ueb-faqen e kësaj agjencie.

Ndërkaq, Agjencia Kombëtare Aeronautike dhe Hapësinore (NASA) e SHBA-së pohon se efekti serrë është “proces që ndodh kur gazrat në atmosferën e Tokës e mbajnë brenda nxehtësinë e Diellit”, dhe shkaktohet nga “djegia e lëndëve djegëse fosile, si thëngjilli dhe nafta”.

Ndonëse vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë ndotësit më të mëdhenj të ambientit me dyoksid të karbonit, edhe ato kanë ndikuar në përkeqësimin e situatës ndër vite.

(Kosova Sot Online)