Kurti në Greqi, diskuton për marrëveshjen me Serbinë

  • A.P /
  • 17 July 2023 - 18:07
Kurti në Greqi, diskuton për marrëveshjen me Serbinë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një bashkëbisedim me ish-kryeministrin grek, njëherësh edhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, ish-ministër i Arsimit, George Papandreou, në kuadër të edicionit të 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, që po mbahet në Greqi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti e falënderoi për organizimin e këtij simpoziumi në të cilin marrin pjesë politikanë e diplomatë progresistë, akademikë e ekspertë të shquar.

Në pyetjet e ish- kryeministrit grek, ai njoftoi audiencën me punën e institucioneve në Kosovë, me theks për përparimin demokratik, ekonomik, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe të pakicave, politikat sociale dhe pluralizmin politik.

Gjatë bashkëbisedimit, po ashtu u diskutua edhe për raportet midis shteteve në Ballkan, integrimin evropian dhe marrëveshjen bazike me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve.

Ky bashkëbisedim i parapriu dy paneleve diskutuese për Ballkanin, në njërin prej të cilit mori pjesë emisari e ndërmjetësi evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.


(Kosova Sot Online)