Presidentja Osmani e pret në takim lamtumirës ambasadorin kanadez

  • A.P /
  • 18 July 2023 - 17:55
Presidentja Osmani e pret në takim lamtumirës ambasadorin kanadez

Në takim lamtumirës ambasadorin e Kanadasë, Alan Bowman, e ka pritur presidentja Vjosa Osmani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani, siç njoftoi Presidenca, e ka falënderuar ambasadorin Bowman “për angazhimin e tij në thellim të raporteve të shkëlqyera bilaterale në mes të Kosovës dhe Kandasë, si dhe për mbështetjen e vazhduar përmes projekteve të ndryshme, në veçanti, mbështetjen për fuqizimin e grave dhe vajzave si dhe avancimin e Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë”.

“Presidentja Osmani ka vlerësuar lartë partneritetin dhe bashkëpunimin në rritje me Kanadanë, duke vënë theksin në vlerat e përbashkëta demokratike, për të cilat të dy shtetet janë të përkushtuara që t’i promovojnë anekënd botës”, thotë Presidenca.

Osmani dhe Bowman biseduan edhe për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend dhe rajon, me ç’rast presidentja potencoi “vullnetin e institucioneve për tejkalimin e situatës aktuale në koordinim me aleatët e Republikës”.

(Kosova Sot Online)