Gjykata shqipton gjashtë muaj burgim për mërgimtarin që kanosi deputeten Ganimete Musliu

  • S.A /
  • 07 August 2023 - 09:44
Gjykata shqipton gjashtë muaj burgim për mërgimtarin që kanosi deputeten Ganimete Musliu

Në Gjykatë Themelore në Prishtinë është shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit D.M duke e dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se ka kanosur deputeten e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu, transmeton "Kosova sot Online".

Dënimi me burgim do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Gjykatësi Driton Berisha deklaroi se dënimi me burgim ndaj D.M mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro, me pëlqim të të akuzuarit.

Gjithashtu, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogariten nga gjykata, si dhe shumën prej 20 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro të tjera për fondin e kompensimit të viktmave të krimit.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 18 maj 2023 me datë 23 dhjetor 2022 rreth orës 17:16, derisa e dëmtuara Ganimete Musliu ishte në veturën e saj në lagjen e “Spitalit” në Prishtinë, i akuzuari Driton Maloku përmes telefonit mobil e kanos të dëmtuarën Ganimete Musliu në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Kosovës me fjalë “A je ti Ganimetja, ty duhet me te zhduk” e pas disa minutash rreth orës 17:35 i dërgon një mesazh përmes telefonit mobil me tekstin “Përshëndetje Ganimete, Aje tu ma kry qat pun me shti qat personin ne pun per qka je pagu a po i kthen qato 20,000.00 euro qe mi ke mar për me kry pun”, me çka tek e dëmtuara Ganimete Musliu ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën dhe trupin e sajë.

(Kosova Sot Online )