Dy mërgimtarë dënohen nga Gjykata pasi kërcënuan Avdullah Hotin dhe Ganimete Musliun

  • A.P /
  • 08 August 2023 - 15:15
Dy mërgimtarë dënohen nga Gjykata pasi kërcënuan Avdullah Hotin dhe Ganimete Musliun

Pasi gjatë vitit të kaluar kishin kanosur përmes telefonit dy deputetët e Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliun dhe Avdullah Hotin, sot janë dënuar dy mërgimtarë, njëri nga Zvicra e tjetri nga Gjermania, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar sot me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Reshat Sadiku, mërgimtar me banim në Gjermani, për kanosjen e deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotin.

Fillimisht, atij iu shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burgim iu zëvendësua me dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro. Këtë gjobë ai obligohet që ta paguajë në dy këste në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Sipas aktakuzës, më 15 dhjetor të vitit 2022 në Prishtinë, pasi Hoti, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, kishte postuar në profilin e tij në rrjetit social “Facebook” mendimin e tij për zhvillimet politike në vend, i pandehuri Reshat Sadiku, me qëllim të frikësimit, e përmes llogarisë së tij personale në rrjetin social “Facebook”, i shkruan koment që lidhet me punën apo me pozitën e të dëmtuarit dhe e kanosë seriozisht me fjalët: “Ty mor bugar vetëm kosa të vjen hakesh”, ku me këtë rast tek i dëmtuari shkakton ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetën.

Në seancën fillestare që është mbajtur sot, ku edhe u arrit marrëveshja për pranim fajësie në mes të Prokurorisë dhe të akuzuarit, Sadiku iu ofrua Hotit dhe i kërkoi falje.

“Për shkak se edhe vetë kam pasur kanosje, internetin nuk e përdori shumë edhe nuk e kam fshi komentin. Për kanosjen, kërkoj falje publike me gjithë zemër, nëse ka diçka për ndihmë nga ana ime, jam i gatshëm. Kërkoj falje…”, tha ai.

I njëjti tha se nuk është person që bën të tilla veprime. “Kam kontribu shumë, tash më ndodhi kjo. Me të vërtetë gjunjëzohem para jush, se nuk jam njeri i tillë, kurrë në gjyq s’jam kanë as kurrë këso probleme s’kam pas”, tha i akuzuari.

Ndërsa, edhe deputeti Hoti i tha se ai është i pari që e ka sjellë në gjykatore.

“Ti ke qenë i pari që më ke sjellë këtu, kurrë s’kam qenë këtu”, tha Hoti.

I akuzuari sërish i kërkoi falje, duke i thënë se qëllimi i tij nuk ka qenë të bënte dëm diçka.

Pas shpalljes së aktgjykimit, Hoti ka reaguar edhe në llogarinë e tij në Facebook, ku ka drejtuar gishtin ka partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, për gjuhën e urrejtjes që përdoret nëpër rrjete sociale.

Ai tha se e pranoi marrëveshjen për pranim të fajësisë me kushtin që i akuzuari të kontribuojë në njërën nga organizatat bamirëse në vend.

“Gjuha e urrejtjes që po përdoret tash e shumë vite nëpër rrjete sociale dhe gjithandej është shqetësuese. Partia që tani është në pushtet për vite me radhë e ka ushqyer këtë gjuhë përçarëse, fyese, denigruese dhe kërcënuese.

Ndihem i obliguar për të informuar të gjithë opinionin publik për rastin që sot është mbajtur seanca gjyqësore lidhur me kanosjen që më është bërë muaj më parë. Sot, është mbajtur seanca lidhur me rastin në fjalë dhe gjykata vendosi për dënimin e të akuzuarit për këtë vepër. Pranova marrëveshjen që ka bërë prokuroria dhe avokati i të pandehurit me kushtin që i njëjti të kontriboj në njërën nga organizatat bamirëse në vend”, ka shkruar Hoti.

Për të njëjtën vepër është dënuar dje edhe një mërgimtar nga Zvicra. Bëhet fjalë për Driton Malokun, i cili akuzohej për kanosjen e deputetes nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliut.

Ai është dënuar dje nga Gjykata Themelore e Prishtinës me gjashtë muaj burgim, që mund të zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro, me pëlqim të të akuzuarit.

E pakënaqur me dënimin është shprehur Musliu, e cila ka paralajmëruar veprime për t’a kundërshtuar me ankesë.

“Përndryshe, konsideroj se dënimi ndaj personit që më kanosi, është shumë i ulët dhe do të konsultohem me avokatin tim për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’a kundërshtuar me ankesë”, ka shkruar Musliu.

Sipas aktakuzës, me datë 23 dhjetor 2022 rreth orës 17:16, derisa Musliu ishte në veturën e saj në lagjen e “Spitalit” në Prishtinë, i akuzuari Driton Maloku përmes telefonit mobil e kanos të dëmtuarën Ganimete Musliu në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Kosovës me fjalë “A je ti Ganimetja, ty duhet me te zhduk” e pas disa minutash rreth orës 17:35 i dërgon një mesazh përmes telefonit mobil me tekstin “Përshëndetje Ganimete, Aje tu ma kry qat pun me shti qat personin ne pun per qka je pagu a po i kthen qato 20,000.00 euro qe mi ke mar për me kry pun”, me çka tek e dëmtuara Ganimete Musliu ka shkaktuar ndjenjën e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetën dhe trupin e sajë.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, dënimi për veprën penale të kanosjes”, fillon nga gjashtë muaj e deri në pesë vjet burgim.

1. Kushdo që seriozisht e kanos personin tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktoj ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit te personi i tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë (6) muaj.

2. Kushdo që seriozisht i kanoset personit tjetër me fjalë, vepra apo gjeste se do ta privojë nga jeta ose se do t’i shkaktojë lëndim të rëndë trupor, se do ta rrëmbejë ose privojë nga liria ndonjë person tjetër ose se do ta dëmtojë me armë zjarri, me shpërthim ose me mjete të tjera të rrezikshme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.

3. Kur vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni kryhet ndaj personit zyrtar në lidhje me punën apo me pozitën e tij ose ndaj disa personave ose kur vepra kryhet nga kryesi i cili vepron si anëtar i grupit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.

4. Kushdo që kryen vepër penale nga ky nen ndaj viktimës së ndjeshme ose me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër me të cilin mund të shkaktohet lëndimi trupor ose dëmtimi i rëndë për shëndetin, dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet”, parashihet me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)