Rusakov: Regjimi i Putinit do të vazhdojë

  • A.P /
  • 23 August 2023 - 20:38
Rusakov: Regjimi i Putinit do të vazhdojë

Askush nuk e di se kur do të përfundojë lufta në Ukrainë, por ekziston droja se edhe pas luftës, regjimi aktual në Rusi, me ose pa Vladimir Putinin, nuk do të ndryshojë, thotë në një intervistë për rel albanologu nga Rusia, Alexander Rusakov, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Ai ka braktisur Rusinë vitin e kaluar, pak kohë pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë më 24 shkurt, për shkak të, siç kishte deklaruar edhe më herët, mospajtimit me politikën zyrtare ruse dhe agresionin ndaj Ukrainës, të cilin e quajti “luftë kriminale” të Qeverisë ruse.

Braktisja e Rusisë ka qenë shkak formal për shkarkimin e tij nga puna në Degën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shën Petërburgut, në Rusi, ku ai ishte ligjërues. Por, arsyeja joformale, sipas tij, është qëndrimi politik. Të njëjtin fat, siç thotë ai, e kanë pasur edhe disa kolegë të tij.

Tash e më shumë se një vit e gjysmë ai jeton në Shqipëri dhe punon në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Rusakov aktualisht po merr pjesë në Seminarin e Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili po mbahet këto ditë në Prishtinë.

(Kosova Sot Online)