A do të shihen Kurti e Vuçiq në shtator?

  • A.P /
  • 24 August 2023 - 17:21
A do të shihen Kurti e Vuçiq në shtator?

 Bashkimi Europian ende nuk ka një datë të caktuar se kur do të organizohet takimi i radhës në Bruksel, por  zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se do të njoftojnë me kohë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

“Kur bëhet fjalë për takimin e ardhshëm brenda kornizës së dialogut, si gjithmonë, ne do të njoftojmë kur është e përshtatshme”, tha ai.

Pas një marrëveshje që arriti me BE-në në Bratislavë për hapat që duhet të ndiqen për rivendosjen e qetësisë në veri të vendit, Kosova është duke zbatuar pikat për të cilat ra dakord atje.

Ndërkohë, në Bruksel dje ka udhëtuar emisari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Atje është pritur nga kolegu i tij europian, Miroslav Lajçak, i cili edhe njoftoi në Twitter për takimin.

“Gëzohem që po mirëpres kolegun dhe mikun tim të mirë Përfaqësuesin Special Escobar në Bruksel. Së bashku me ekipet tona, ne kaluam dje në një diskutim të thelluar mbi dialogun, gjendjen e lojës dhe rrugën përpara, si dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Faleminderit për një bashkëpunim të jashtëzakonshëm”, shkroi Lajçak.

Sidoqoftë, Kurti dhe Vuçiq u panë pak gjatë një darke të përbashkët në Athinë ku u ftuan nga kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, mes shumë liderëve tjerë rajonalë e europianë.

Në këtë tavolinë, ndonëse nuk folën direkt, Kurti ia dha mesazhin Vuçiqit indirekt.

“Të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësim në Bashkimin Europian duhet të i përmbahen dhe zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë. E kusht për fqinjësinë e mirë është njohja reciproke, de-jure edhe de-facto. Minoritete do të ketë çdoherë, por kërkohet simetri dhe balancë në respektimin e minoriteteve bazuar në Konventën Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, kishte thënë Kurti atje, siç kishte njoftuar Zyra e tij në një komunikatë.

(Kosova Sot Online)