Shteti europian sjell nismën e çuditshme: Bëj një tatuazh dhe udhëto falas me tren për një vit

  • A.P /
  • 28 August 2023 - 20:38
Shteti europian sjell nismën e çuditshme: Bëj një tatuazh dhe udhëto falas me tren për një vit

Shprehjen “nuk ka ide të këqija” ndoshta e keni dëgjuar dhe ua ka vrarë veshin.

Por ajo ka pasur vlerë deri në momentin kur ministres së Klimës në Austri i lindi ideja të miratonte një fushatë për t’u ofruar njerëzve transport publik falas për një vit nëse ata bëjnë tatuazh në trupin e tyre logon e kartës hekurudhore.

Tarifat e hekurudhave zakonisht kushtojnë shtrenjtë, por sipas kësaj skeme tashmë qytetarëve u duhet të mbulojnë vetëm një copë lëkure me bojë, në këmbim të një karte hekurudhore vjetore me vlerë më shumë se 1000 euro.

Ideja për krijimin e Klimaticket (bileta klimatike) u hodh fillimisht nga Leonore Gewessler, deputetja e të Gjelbërve dhe ministre e Klimës së Austrisë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo ndau detaje të iniciativës në një festival muzikor gjatë fundjavës përpara se të postonte një foto të krahut të saj, ku shkruante: “Gewessler merr drejtimin“.

Tatuazhi i saj ishte i përkohshëm, por në një tendë në festival po ofroheshin karta 1 vjeçare për transport publik falas, në rast se bëje tatuash logon e Klimaticket në krah.

Gazeta gjermane Salzburger Nachrichten raportoi se gjashtë persona përfituan nga promovimi gjatë fundjavës, ndërsa muajin e kaluar rreth 30 pjesëmarrës të festivalit Electric Love pranuan po ashtu të bënin tatuazhin.

Por, kjo ide e ministres është kritikuar ashpër nga deputetët opozitarë.

“T’u ofrosh para njerëzve për t’i vënë reklamat në lëkurë zbulon një pikëpamje të papranueshme për njerëzimin”, tha deputeti i partisë NEOS, Henrike Brandstötter.

Ndërsa gazetari i njohur Florian Klenk tha se fushata karakterizohet nga “cinizmi dhe tallja”.

Gewessler reagoi për zërat kundër, duke mbrojtur fushatën.

“Kjo është kryer me shumë kujdes. Bëhet vetëm gjatë ditës dhe u ofrohet vetëm personave mbi 18 vjeç”, tha ajo.


(Kosova Sot Online)