Pse sivjet më pak rrush në Rahovec?

  • A.P /
  • 06 September 2023 - 17:55
Pse sivjet më pak rrush në Rahovec?

Në plantacionet e mbjella me vreshta në komunën e Rahovecit, këto ditë ka filluar vjelja e rrushit të tryezës dhe atij të verës, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Vreshtarët këtë vit e quajnë ‘vit i dëmtuar’, për shkak se kushtet atmosferike kanë ndikuar që edhe vjelja e rrushit të nis me vonesë.

Sipas kryetarit të komunës së Rahovecit dhe disa fermerëve, rendimentet e rrushit janë më të ulëta këtë vit.

Kërkesat për përkrahje nga Ministria e Bujqësisë nuk mungojnë as këtë vit. Fermerët shprehen se 1000 euro subvencione janë të pamjaftueshme për kultivimin e kësaj kulture bujqësore.

Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, u shpreh se ka qenë vit i vështirë për vreshtarët, por siç u shpreh ai prapë zona e Rahovecit mbetet epiqendra e rrushit në Kosovë dhe Evropë.

Latifi kërkoi nga Ministria e Bujqësisë që te dyfishohen subvencionet, pasi që sipas tij, vreshtarët e Rahovecit meritojnë mbështetjen.

“Sezoni i vjeljes sivjet ka filluar me vështirësi, për shkak të verës së vonuar, reshjeve të shumta të shiut, lagështisë së madhe. Ne po kërkojmë që të rriten subvencionet për këtë vit, pra të dyfishohen subvencionet për shkak të verës së vonuar, verës së vështirë, reshjet e shumta dhe mungesat e shumta që i kemi në vreshtari. Pra, është dëmtuar rrushi.

Do të ishte e rëndësishme që të dyfishohen subvencionet nga Ministra e Bujqësisë si dhe do të ishte tepër e rëndësishme po ashtu qe të hapen sa më shpejt e mundur thirrja për aplikim për grante, që bujqit tanë të ndjehen të përkrahur, njëkohësisht të ndjehen edhe më të detyruar ndaj punës që e bëjmë tradicionale dhe të rrisin motivin që të vazhdojnë punojnë në ta ardhmen” tha Latifi.

(Kosova Sot Online)