Pse Kim Jong Un do të vizitojë Rusinë?

  • A.P /
  • 11 September 2023 - 18:25
Pse Kim Jong Un do të vizitojë Rusinë?

Udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un do të vizitojë Rusinë, njoftuan dy vendet të hënën, dhe do të ketë një takim me Presidentin rus Vladimir Putin. Takimi i pritshëm ka shkaktuar shqetësim në Perëndim për shkak të një marrëveshjeje të mundshme për furnizimin me armë për Moskën, duke e ndihmuar kështu në luftën që po bën në Ukrainë,  transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Një deklaratë e shkurtër në faqen në internet të Kremlinit thotë se vizita po bëhet me ftesën e Presidentit Putin dhe do të ndodhë “në ditët në vazhdim”. Kjo u njoftua edhe nga organi zyrtar koreanoverior, Agjencia e Lajmeve Qendrore Koreane (KCNA), e cila konfirmoi se dy udhëheqësit do të takoheshin, por pa dhënë detaje për vendin dhe kohën e takimit.

“I respektuari Shoku Kim Jong Un do të takohet dhe do të bisedojë me Shokun Putin gjatë vizitës”, thuhet në njoftimin e KCNA-së.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se do të takoheshin delegacionet nga të dyja vendet, por nuk konfirmoi planet për një sesion dypalësh mes zotit Putin dhe zotit Kim, duke thënë se udhëheqësit do të takohen më vete “nëse do të jetë e nevojshme”. Vizita do të jetë edhe udhëtimi i parë jashtë vendit i zotit Kim që nga periudha e pandemisë COVID-19, që e pati detyruar Korenë e Veriut të vendoste masa të rrepta në kufi për mbi tre vite, për të mbrojtur sistemin e saj të dobët të kujdesit shëndetësor. Megjithëse zoti Kim ka përdorur avionët për të udhëtuar, në dallim nga babai i tij që shmangte udhëtimin ajror, ai gjithashtu ka përdorur trenin e tij personal për takime në të kaluarën me zotin Putin, me Presidentin kinez Xi Jinping dhe ish-Presidentin amerikan Donald Trump, duke rikthyer kështu edhe një simbol të regjimit të dinastisë së familjes së tij.

Gazetarët e agjencisë së lajmeve Associated Press të vendosur pranë kufirit Kore e Veriut – Rusi, pikasën në një stacion koreanoverior një tren jeshil me vija të verdha – i ngjashëm me trenin e përdorur nga zoti Kim gjatë udhëtimeve të mëparshme jashtë vendit.

(Kosova Sot Online)