Guterres i përmend Moskës sanksionet e OKB-së
Çdo bashkëpunim me Korenë e Veriut “duhet të jetë në përputhje me sanksionet e OKB-së”, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me një marrëveshje të mundshme ushtarake midis Moskës dhe Phenianit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.
“Çdo formë bashkëpunimi nga çdo vend me Korenë e Veriut duhet të jetë në përputhje me regjimin e sanksioneve të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, theksoi Guterres.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së po i përgjigjej një pyetjeje në lidhje me takimin midis presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij koreano-verior, Kim Jong Un, dhe mundësinë e një marrëveshjeje për dërgesat e pajisjeve ushtarake nga Pheniani në Moskë në mbështetje të pushtimit rus të Ukrainës.
Pas takimit të sotëm mes dy liderëve, Putin iu referua “forcimit të ardhshëm të bashkëpunimit” me Phenianin, ndërsa Kim tha se kishte besim se ushtria dhe populli rus do të triumfojnë kundër “të keqes”, duke iu referuar ndër të tjera “imperializmit” të Perëndimi.
Në të njëjtën kohë, duke folur me një reporter televiziv rus gjatë takimit Putin-Kim, Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se situata gjeopolitike ka ndryshuar plotësisht që kur OKB vendosi sanksione ndaj Koresë së Veriut, duke akuzuar Perëndimin për shkeljen e angazhimeve të tij dhe ndalimin e ndihmave humanitare për Phenianin.
(Kosova Sot Online)