Vuçiq e akuzon Malin e Zi për njohjen e Kosovës
Pas skandalit të ndalimit të 86 shtetasve serbë në aeroportin e Malit të Zi, të cilët sipas raportimeve konsiderohen persona të afërt me SNS-në dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tensionet mes Podgoricës dhe Beogradit janë përshkallëzuar. Në këtë kontekst, autoritetet malazeze akuzojnë Serbinë për zhvillimin e një fushate të re propagandistike kundër Malit të Zi.
Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka reaguar ashpër ndaj deklaratave që vijnë nga Serbia, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të papërshtatshme akuzat se Podgorica po zhvillon një “luftë hibride” kundër interesave serbe.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, ministria thekson se pretendimet për kërcënimin e interesave të Serbisë nga Mali i Zi janë tërësisht të pavërteta.
Sipas Podgoricës zyrtare, sa më shumë që Mali i Zi i afrohet realizimit të objektivit strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe sa më shumë afrohen proceset zgjedhore në vend, aq më të shpeshta bëhen deklaratat nga Serbia që, sipas tyre, tregojnë se një pjesë e strukturave politike në Beograd ende nuk e pranojnë faktin se janë të rrethuara nga shtete sovrane, të njohura ndërkombëtarisht dhe të barabarta.
Ministria malazeze vlerëson se është absurde të pretendohet se Mali i Zi po zhvillon luftë hibride ndaj kujtdo dhe lë të kuptohet se deklarata të tilla mund të jenë pjesë e fushatave të dezinformimit ose përpjekje për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme në Serbi.
Në reagim rikujtohet se pavarësia e Malit të Zi u rikthye përmes një referendumi demokratik, rezultatet e të cilit u njohën nga e gjithë bota. Autoritetet malazeze theksojnë se kjo është një çështje e mbyllur, e verifikuar ndërkombëtarisht dhe e pakthyeshme.
Më tej, Mali i Zi e përshkruan veten si një shtet qytetar, multietnik dhe multikonfesional, i bazuar në sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe vlerave evropiane. Në deklaratë nënvizohet se të drejtat e pakicave, liria fetare dhe përdorimi i gjuhëve e i shkrimeve të ndryshme mbrohen me kushtetutë dhe ligj.
Podgorica thekson se si anëtare e NATO-s dhe vendi më i avancuar në procesin e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor, vendimet i merr në mënyrë të pavarur dhe në përputhje me interesat e qytetarëve të saj.
Autoritetet malazeze shprehen se dëshirojnë marrëdhënie sa më të mira me të gjithë fqinjët, përfshirë Serbinë, por theksojnë se marrëdhëniet e mira fqinjësore mund të ndërtohen vetëm mbi respektin reciprok, barazinë dhe pranimin e realitetit.
Në fund të deklaratës, Mali i Zi hedh poshtë kategorikisht pretendimet se i ka marrë territor kujtdo dhe bën thirrje që rajoni të fokusohet te e ardhmja, reformat, zhvillimi ekonomik dhe integrimi evropian, në vend të krijimit të tensioneve politike dhe fushatave të propagandës.
Reagimi i Podgoricës erdhi pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq, i cili e akuzoi Malin e Zi se po zhvillon një “luftë hibride” kundër Serbisë dhe se media dhe një pjesë e establishmentit politik malazez kanë luajtur rol në atë që ai e quajti “revolucion me ngjyra” në Serbi.
Vuçiq deklaroi se media malazeze kanë marrë pjesë në fushata kundër Serbisë dhe se një pjesë e elitës politike në Podgoricë po zhvillon “luftë hibride” kundër Beogradit.
Ai gjithashtu pretendoi se Mali i Zi “i ka marrë Serbisë 14 për qind të territorit”, duke iu referuar njohjes së pavarësisë së Kosovës.
(Kosova Sot Online)
