Trajkoviq: Lista Serbe është degë e Vuçiqit në Kosovë

  • A.P /
  • 29 September 2023 - 19:20
Trajkoviq: Lista Serbe është degë e Vuçiqit në Kosovë

Sot do të ishte shumë katastrofike për popullin serb në Kosovë dhe shtetin e Serbisë nëse Lista Serbe do të mbijetonte politikisht, ka deklaruar këshilltarja në Qeverinë e Kosovës, Rada Trajkoviq, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Trajkoviq tha se kjo parti realisht kurrë nuk ka pasur mbështetjen e popullit serb në Kosovë.

“Lista Serbe ka marrë vota për shkak të shantazhit dhe terrorit që ka bërë ndaj serbëve. Ajo parti është degë e Aleksandar Vuçiqit, e cila u pranua nga liderët shqiptarë dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, sepse roli i vetëm i Listës Serbe ishte zbatimi i padiskutueshëm i të gjitha marrëveshjeve nga Brukseli përmes pjesëmarrjes në institucionet e Kosovës”, tha ajo.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me Listën Serbe për shkak të pjesëmarrjes së nënkryetarit të saj Milan Radoiçiq në sulmin terrorist në Banjskë, Trajkoviq tha se kjo do të varet edhe nga qëndrimi i shtetit të Serbisë ndaj Radoiçiqit, sipas Betas.

“Do të ishte shumë katastrofike për popullin serb në Kosovë dhe shtetin e Serbisë nëse Lista Serbe mbijetonte politikisht. Nëse Beogradi nuk e sanksionon efektivisht Radoiçiqin, fati i Listës Serbe dhe qeverisë së Vuçiqit do të vuloset. Me konfliktin e armatosur në veri të Kosovës, Radoiçiq u paraqit si përfaqësues i një organizate terroriste të ngjashme me Hamasin”, theksoi Trajkoviq.

Nënkryetari i Listës Serbe, kryeterroristi Milan Radojiçiq, sot publikisht ka marrë përgjegjësi për sulmin terrorist në veri të Kosovës.

Për pasojë, edhe akterë politikë në Kosovë kanë kërkuar që Lista Serbe të shpallet organizatë terroriste mirëpo nuk dihet nëse një gjë e tillë do të ndodh.

(Kosova Sot Online)