BE pritet ta rrisë përkushtimin për zgjerimin e bllokut

  • A.P /
  • 03 October 2023 - 17:26
BE pritet ta rrisë përkushtimin për zgjerimin e bllokut

Bashkimi Evropian (BE) pritet ta rrisë përkushtimin për zgjerimin e bllokut gjatë samitit të kësaj jave në Granada të Spanjës, sipas një drafti të bllokut të parë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

BE-ja do t’i zhvillojë dy samite në Granada më 5 dhe 6 tetor, ku liderët evropianë do të bisedojnë për të ardhmen e kontinentit.

Së pari, do të zhvillohet samiti i më shumë se 40 vendeve në kuadër të Bashkësisë Politike Evropiane, në të cilin do të marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Më pas, do të zhvillohet edhe samiti joformal i vendeve anëtare të BE-së.

Samiti do ta ketë edhe të ashtuquajturën “Deklarata e Granadës” të cilën pritet ta miratojnë liderët e BE-së, draftin e së cilës e ka siguruar Radio Evropa e lirë.

Liderët e BE-së do të theksojnë se zgjerimi “është një investim gjeostrategjik në paqe, siguri, stabilitet dhe prosperitet në kontinent; është proces i cili do ta zvogëlojë pabarazinë mes vendeve dhe do t’i forcojë vlerat mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”.

“Duke shikuar drejt një unioni më të zgjeruar, si BE-ja ashtu edhe vendet e ardhshme anëtare, duhet të bëhen gati. Vendet aspiruese duhet ta përshpejtojnë punën e tyre në reforma, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit, në përputhje me qasjen e zgjerimit sipas parimit të meritave individuale dhe me asistencë të BE-së. Paralelisht, unionit i duhet të vendosë themelet për t’u bërë gati për zgjerim. Ne do t’i paraqesim ambiciet tona afatgjate dhe mënyrën se si t’i arrijmë ato”, thuhet në draftin e Deklaratës që liderët e vendeve të BE-së pritet ta miratojnë në Granada.

Si pjesë e nisjes së përgatitjeve të BE-së për zgjerim, liderët pritet të diskutojnë edhe për reformat e brendshme të bllokut, në mënyrë që një BE e zgjeruar, kur të ketë më shumë se 30 vende anëtare, ta ketë më të lehtë, e jo më të vështirë, miratimin e vendimeve.

Ata do të flasin edhe për idetë që në disa fusha vendet nga procesi i zgjerimit të integrohen pa pasur nevojë ta presin anëtarësimin formal në BE.

Samiti në Granada do të jetë i karakterit joformal, ndërsa vendime konkrete rreth procesit të zgjerimit priten në samitin formal të BE-së në muajin dhjetor, sipas rel.

Zgjerimi i fundit i BE-së ka ndodhur me 1 korrik të vitit 2013 kur Kroacia ishte bërë vendi më i ri anëtarë. Prej atëherë nuk ka pasur zgjerim ndërsa Britania e Madhe është larguar nga BE-ja duke e lënë atë përsëri me 27 vende anëtare.

(Kosova Sot Online)