Vjen paralajmërimi nga NATO

  • A.P /
  • 05 October 2023 - 15:46
Vjen paralajmërimi nga NATO

Zyrtari më i lartë ushtarak i NATO-s ka paralajmëruar se rezervat në municione janë duke u pakësuar, ndërsa Perëndimi vazhdon të dërgojë sasi të mëdha ndihmash ushtarake për Ukrainën që po mbrohet nga sulmi i forcave ruse, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ushtria ukrainase përdor disa mijëra predha artilerie në ditë për të luftuar forcat ruse. Pjesa më e madhe e municionit furnizohet nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.

Ndërsa lufta po hyn në muajin e njëzetë, kreu i komitetit ushtarak të NATO-s paralajmëroi të martën se po harxhohen rezervat.

“Kur filluam të jepnim ndihmat, magazinat në Evropë i kishim përgjysëm, apo me furnizim të ulët. Tashmë po duket fundi i tyre dhe industria duhet të shtojë prodhimin me ritëm shumë më të lartë. Na duhen sasi të mëdha”, tha Admirali Rob Bauer.

Evropa dhe Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar tashmë planet për të shtuar prodhimin e armatimit.

Që të realizohet njëkohësisht plotësimi i rezervave dhe furnizimi i Ukrainës, do të nevojiten sinjale të qarta nga udhëheqësit perëndimorë, thotë analistja për mbrojtjen Simona Soare.

“Ka shumë që mund të bëhet për të dhënë mesazhin se kjo nuk është një përpjekje e përkohshme, por një përpjekje e vazhdueshme, ndoshta edhe afatgjatë. Bëhet fjalë pra për miliarda dollarë që duhet të investohen për këtë”, tha ajo.

Pentagoni tha këtë javë se kanë mbetur vetëm 1.6 miliardë dollarë, nga 25.9 miliardë dollarët që Kongresi miratoi për të plotësuar rezervat ushtarake amerikane, nga të cilat janë marrë furnizimet për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara kanë dhënë rreth 46.6 miliardë dollarë ndihma ushtarake për Ukrainën, që kur Rusia filloi sulmin në shkurt 2022.

Bashkimi Evropian ka dhënë rreth 27 miliardë dollarë dhe Britania rreth 7 miliardë dollarë. Por, rritja e prodhimit të armatimeve do të dojë kohë.

“Duhen mesatarisht 2 deri në 4 vite për të ngritur linja të reja prodhimi me intensitet të lartë për paisjet që i duhen Ukrainës. E njëjta vlen edhe për municionet. Flitet pra për qindra, ndoshta mijëra njerëz që do të duhet të kenë njohuri shumë specifike për t’u punësuar në këtë lloj aktiviteti”, thotë zonja Soare.

Analistët thonë se ka shqetësim në rritje ndër mbështetësit e Ukrainës se zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë mund të dëmtojnë unitetin e Perëndimit për mbështetjen ndaj Ukrainës.

Kongresi i Shteteve të Bashkuara miratoi në minutën e fundit të shtunën një buxhet të përkohshëm për të shmangur mbylljen e qeverisë federale – por në të nuk u përfshi ndihma për Ukrainën.

Presidenti amerikan Joe Biden është zotuar se do ta vazhdojë mbështetjen amerikane për Ukrainën.


(Kosova Sot Online)